Aktorja e njohur e “Hollywood”-it, Angelina Jolie, ka vendosur që të shkëpusë përgjithmonë çdo marrëdhënie që ka me ish-bashkëshortin e saj, Brad Pitt. Avokatët e Jolie po kërkojnë që të hiqet çdo urdhër ndalimi automatik i përkohshëm për të lejuar aktoren të shesë aksionet e një prone që ka bashkë me Brad.
Avokati i saj ka deklaruar se kompania e Jolie dhe ajo e Pitt janë aksionerë të barabartë në një kompani në Luksemburg që ka interesa pronësie në “Chateu Miravel” në Francë, si dhe një punishte vere në “SNC Miraval Provence”.
Sipas avokatit të aktores, divorci i dyshes ndryshoi aftësinë e tyre për të punuar së bashku si partnerë biznesi, kështu që Angelina diskutoi mundësinë e shitjes së interesit të saj tek Pitt për dy vite, por këto diskutime kanë përfunduar. Dy aktorët nuk kanë arritur në një marrëveshje mbi çmimin e blerjes.
Ajo më pas hulumtoi mundësinë e shitjes tek palë të treta dhe ka një ofertë të vlefshme momentalisht. Avokati i saj ka treguar se mundësia e shitjes tek një palë e tretë lindi pas negociatave të gjata dhe të pasuksesshme që ajo zhvilloi me ish-bashkëshortin e saj.
“Chateau Miravel” ka goxha vlerë si financiare, ashtu edhe shpirtërore për ish-çiftin. Në vitin 2014, Angelina dhe Brad u martuan pikërisht në vreshtat e atij vendi. Më pas në vitin 2016, ajo plotësoi kërkesën për divorc dhe në maj të 2021, Brad Pitt mori kujdestarinë e përbashkët të fëmijëve të tyre.
Rikujtojmë se, ylli i “Hollywood”-it dhe këngëtari i njohur kanadez, The Weeknd, së fundmi janë fotografuar bashkë në Los Angeles. Menjëherë në rrjet kanë nisur thashethemet se mes dyshes së njohur mund të ketë lindur diçka.