Dërgimi në Ukrainë i disa armatimeve amerikane mund të realizohet pasi mandati i presidentit Joe Biden të përfundojë në janar 2025, i thanë Zërit të Amerikës zyrtarë të Pentagonit, duke theksuar se do të duhet kohë që disa kapacitete të mbërrijnë në Ukrainë.
Siç e dini, disa pajisje dhe disa sisteme mund të arrijnë në Ukrainë shumë shpejt dhe ju e keni parë këtë të ndodhë brenda disa ditëve ose javëve. Ndonjëherë, zgjat më shumë … dhe mund të jetë më shumë se javë, mund të jenë muaj, tha zv.sekretarja e Shtypit e Pentagonit, Sabrina Singh në përgjigje të një pyetjeje nga Zëri i Amerikës.
Singh vuri në dukje se në kuadrin e Iniciativës së Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës (USAI), dërgesat e armëve mund të zgjasin me vite.
Pra, disa pajisje arrijnë në Ukrainë jashtëzakonisht shpejt. Por pastaj ka disa për të cilat duhet më shumë kohë.
Shtetet e Bashkuara ende kanë fonde në dy programe kryesore që mbështesin mbrojtjen e Ukrainës, PDA ose Programi i Autorizimit Presidencial dhe USAI. Programi i parë lejon që armët të sigurohen nga rezervat ekzistuese të Shteteve të Bashkuara, duke mundësuar shpërndarje më të shpejtë. Programi i dytë përfshin blerjen e armëve nga industria, një proces që mund të zgjasë më shumë.
Që nga nëntori, Shteteve të Bashkuara u kanë mbetur rreth 9 miliardë dollarë për ndihma ushtarake për Ukrainën, raportoi Pentagoni. Nga këto, afërsisht 7 miliardë dollarë janë në dispozicion sipas programit PDA, përfshirë rreth 4 miliardë dollarë të miratuara nga Kongresi në prill e 2.8 shtesë, të vëna në dispozicion pas bilanceve të reja nga Departamenti i Mbrojtjes. Gjithashtu, 2.2 miliardë dollarë të tjerë janë në dispozicion për programin USAI.
Dje, Shtetet e Bashkuara njoftuan një paketë shtesë të ndihmave të sigurisë për Ukrainën, me vlerë 275 milion dollarë. Në të përfshihen municione për sistemet e raketave, predha artilerie, armë antitank dhe të tjera.
Zyrtarët e Pentagonit i kanë konfirmuar Zërit të Amerikës se Departamenti i Mbrojtjes është i angazhuar të përdorë të gjitha fondet e mbetura të programit PDA të autorizuara nga Kongresi përpara datës 20 janar 2025 dhe fondet shtesë të vëna në dispozicion për shkak të përllogaritjeve të reja. Shuma e saktë do të varet nga vlerësimet e vazhdueshme të nevojave të mbrojtjes së Ukrainës dhe logjistikës së ofrimit të ndihmës./Zëri i Amerikës