Ushtria amerikane do të dislokojë avionë e anije luftarake shtesë në Lindjen e Mesme ndërsa Uashingtoni synon të forcojë masat mbrojtëse pas kërcënimeve nga Irani dhe aleatët, Hamas e Hezbollah. Shtetet e Bashkuara po përgatiten që Teherani të përmbushë zotimin për t’u hakmarrë. Pentagoni miratoi dërgimin e anijeve luftarake që mund të rrëzojnë raketa balistike me objektiva në Lindjen e Mesme dhe Evropë.
Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin e informoi Izraelin për ndryshimet aktuale e të ardhshme të pranisë së forcave amerikane në Lindjen e Mesme.
Zyrtarët i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se po shqyrtojnë një gamë të gjerë variantesh, përfshirë mjetet ajrore e detare. Ndryshimet e pritshme vijnë teksa Shtetet e Bashkuara po përgatiten pas kërcënimeve të Iranit për të reaguar lidhur me vrasjen e udhëheqësit të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran e një serie eliminimesh të figurave të larta të grupit militant palestinez.
Shefi i Pentagonit, Lloyd Austin zhvilloi një bisedë telefonike me Ministrin e Mbrojtjes të Izraelit, Yoav Gallant ndërsa në Gazë vazhdon lufta mes Izraelit dhe Hamasit. Zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh:
Sekretari Austin informoi ministrin se masat shtesë të Pentagonit do të përfshijnë ndryshime të vazhdueshme të pozicionimit të forcave amerikane për të mbështetur mbrojtjen e Izraelit.
Presidenti Biden dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes kanë shprehur përkushtimin për shtimin e forcave mbrojtëse në rajon.
Mbetet e paqartë nëse përgatitjet amerikane janë aq intensive sa ishin përpara 13 prillit kur Irani ndërmori një sulm me dronë dhe raketa kundër territorit izraelit. Ushtria izraelite eliminoi me sukses pothuajse të gjitha raketat dhe dronët, rreth 300, me ndihmën e ushtrisë amerikane dhe aleatëve të tjerë.
Në një telefonatë me kryeministrin Netanyahu të enjten, Biden foli për dislokimet e reja amerikane për të mbështetur Izraelin përballë kërcënimeve me raketa dhe dronë, siç njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Irani e Hamasi kanë akuzuar Izraelin për vrasjen e udhëheqësit të Hamasit, Ismail Haniyeh dhe janë zotuar të hakmerren kundër armikut të tyre. Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë dhe as nuk e ka mohuar. Zëdhënësja Singh u shpreh se Shtetet e Bashkuara nuk duan të shohin një konflikt më të gjerë rajonal e nuk besojnë se një përshkallëzim është i pashmangshëm.