Aktualitet

Pensionistët zëvendësojnë të rinjtë dembelë në vendin tonë!

Vit pas viti, punësimi i pensionistëve po vjen në rritje, si një nevojë për të mbuluar hendekun e lënë bosh në tregun e punës nga të rinjtë. Në vitin 2023, mbi 16% e personave mbi 65 vjeç ishin të punësuar sipas të dhënave nga Anketa e Forcave të Punës të INSTAT-it. Shkalla e punësimit te personat në moshë pensioni ka ardhur në rritje gjatë dekadës së fundit, nga 8.6% më 2015-ën, në 16.3 vitin e kaluar.

Punësimi i këtyre moshave po vjen në një kohë që papunësia te të rinjtë është rritur në të njëjtën periudhë. Për grupmoshën 15-24 vjeç, shkalla e papunësisë ishte shumë e lartë vitin e kaluar, në 25,6%. Në vitin 2023, të rinjtë e grupmoshës 15-29 vjeç, të cilët nuk janë të punësuar, nuk po ndjekin shkollën apo ndonjë formim profesional, përbëjnë 24,6% të totalit.

Ekspertët e tregut të punës pohojnë se njerëzit në moshë pensioni mbulojnë nevoja të bizneseve që zakonisht nuk preferohen nga të rinjtë, si roje të objekteve private e profesione që nuk kërkojnë shumë aftësi dhe energji.

Nga ana tjetër, pagesat e ulëta ndaj pensioneve të pleqërisë po nxisin gjithnjë e më shumë të moshuar të punojnë për të plotësuar nevojat. Të dhëna më të detajuara tregojnë se të moshuarit me shkollë të mesme kishin përqindjen më të lartë të rritjes së punësimit, të ndjekur nga ata me arsim 8-vjeçar e në fund, personat me arsim të lartë.

Por, rritjen më të madhe vjetore në punësim e kishin pensionistët me arsim të lartë me 6,2 pikë për qind brenda vitit. Për shkak të mangësive në disa profesione, shumë punonjës të punësuar në sektorët e shëndetësisë e arsimit, punojnë edhe pas pensionit.

Mungesa e punonjësve, tashmë ka prekur edhe sektorin shtetëror e funksionet e shërbimeve. Në disa rajone të vendit, si në jug e në veri, shumë shkolla kanë mungesa me mësues të profileve në lëndët kryesore, teksa në spitale punojnë mjekë në pension e që më parë kishin punuar në Tiranë.

Gati 82 mijë persona mbi 64 vjeç ishin në punë në muajt tetor-dhjetor 2023, nga 54,5 mijë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2022. Vitet e fundit ka një tendencë se kur bie punësimi i të rinjve ka më shumë të punësuar mes pensionistëve./Monitor