Bota

Pelegrinazhi i Haxhit, shënohen viktima nga i nxehti!

Të paktën 14 shtetas të Jordanisë gjetën vdekjen gjatë pelegrinazhit të Haxhit në Arabinë Saudite, për shkak të nxehtësisë së madhe, me temperatura shumë të larta siç konfirmuan zyrtarët. Ministria e Jashtme jordaneze deklaroi se 14 shtetas të saj humbën jetën nga vala e të nxehtit dhe 17 të tjerë u zhdukën.

Kryqi i Kuq iranian konfirmoi po ashtu që pesë pelegrinë iranianë kanë ndërruar jetë, ndonëse pa përmendur arsyet. Zyrtarë të Jordanisë thanë se janë duke vazhduar kërkimet për të zhdukurit. Haxhi është një prej tubimeve më masivë në të gjithë botën.

Më shumë se 1.8 milion pelegrinë janë duke marrë pjesë në ceremoninë e këtij viti, sipas autoriteteve saudite. Në të kaluarën është raportuar për katastrofa vdekjeprurëse, përfshirë zjarret e rëna nëpër tenda, por këtë vit, sfidë kryesore ka qenë i nxehti i padurueshëm.

Ditët e fundit, temperaturat kanë arritur deri në 46 gradë Celcius, duke bërë që ritualet që duhet të kryhen në këmbë në mjediset e jashtme, të jenë tepër sfiduese, sidomos për personat e moshuar. Pelegrinazhi do të përfundojë të mërkurën, më 19 qershor.

Autoritetet saudite bënë të ditur se kanë marrë masa për të lehtësuar pasojat e të nxehtit, përfshirë shpërndarjen e ujit dhe këshillimin e pelegrinëve se si të mbrojnë veten kundër rrezeve të diellit. Vitin e kaluar u raportua për 240 viktima përgjatë pelegrinazhit.

Katastrofa më e madhe përgjatë Haxhit është shënuar në vitin 2015, atëherë kur gjetën vdekjen më shumë se 2 mijë njerëz.