Aktualitet

Pedagogia që u bë deputete, si ish greviste Luljeta Bozo flet për kërkesat e pedagogëve sot

Ishte viti 2004 kur Luljeta Bozo si pedagoge në Universitetin Politeknik, iu bashkua grevës së profesoratit për reformimin e arsimit të lartë dhe rishikim të pagave, drejtuar qeverisë së asaj kohe me në krye Fatos Nanon.

“Kishte shumë gjëra që nuk shkonin në atë kohë për funksionimin normal të universitetit. Bëmë një kërkesë fillimisht të cilën nuk na e morën në konsideratë dhe ndaj u detyruam që atje në shtëpinë tonë te universiteti t’I shprehnim si të thuash “botërisht” kërkesat tona të cilat u morën parash. Kishte ndryshim pagash edhe ndryshime në përcaktimin e një fondi për kërkim shkencor sepse nuk bëhet shkenca pa investim”, tha Luljeta Bozo.

Me kalimin e 18 viteve, protestat e pedagogëve janë rikthyer me kërkesa thuajse të njëjta, dyfishimin e rrogës brenda dy viteve.

Por përveç të qenurit një akademike me experience 58 vjeçare, Luljeta Bozo sot ka edhe një karrige në Parlament si deputete, përfaqësuese e popullit në krahun e qeverisjes socialiste.

“Janë disa problem që nuk ka lidhje as e majta as e djathta, arsimi është i të gjithëve”, u shpreh Bozo.

80-vjeçarja mbështet idenë se pedagogët duhet të kenë një trajtim më të mirë ekonomik.

Por deputetja Bozo mendon se në ditët e sotme ata duhet të kenë parasysh se pedagogu i një universiteti është edhe qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe kërkesat e tyre duhet të bazohen në realitetin ku jetojnë, në kushtet e një krize globale si pasojë e luftës në Ukrainë dhe pas tërmetit e pandemisë që përjetuan shqiptarët.

“Kërkesa mund të kemi shumë dhe mund të jenë të drejta por duhet të shikojmë se nuk jemi të pandarë nga shoqëria dhe populli. Pra ne kërkojmë shumë gjëra… por a i kemi mundësitë ti realizojmë? Nuk i kemi!”, tha Liljeta Bozo.

Për Luljeta Bozon, në këtë situatë qeveria e ka vëmendjen te pedagogët me vendimin për rritjen e pagave me 7% nga buxheti i shtetit, e deri në 15% nga vetë universiteti.

Ajo duket se është në të njëjtën linjë me kryeministrin Rama se jo të gjithë pedagogët duhet të paguhen njësoj, por të vlerësohen në bazë të performancës dhe t’i rrisin rrogën vetes.

“Pedagogu nuk duhet të jetë vetëm mësimdhënies por edhe shkencëtar. Të vrasin mendjen, të ulen e të bëjnë projekte!”, deklaroi Bozo.