Në “At the Movies” u diskutua në episodin e fundit për shuma marramendëse parash. Këtë herë jo të ardhura për filma, apo fitime për aktorët apo aktoret më me emër të industrisë së filmit, por shuma të mëdha që janë vjedhur në sektorin financiar apo bankar në botë. Skandalet më të mëdha në histori të përmbledhura në 5 filmat më të mirë ishin:
“The Wizard of Lies”
“The Big Short”
“The Margin Call”
“The Wolf of Wall Street”
“Wall Street”
Pedagogia e ekonomisë, Blerina Hoxha, e ftuar në program komentoi mbi vërtetësinë e ngjarjeve të sjellë në këto filma. Ndër të tjera ajo theksoi se thelbi mbetet i njejtë tek të gjithë, por sigurisht që filmit i duhet shtuar pak më tepër dramacitet që të tërheqë më shumë vëmendje. “The Wolf of Wall Street” shërben edhe si frymëzim për shumë të rinj. Skena e filmit ku Di Caprio vë në provë shokun e tij duke i thënë “Më shit këtë stilolaps!” është një ndër skenat më të bukura ku të rinjtë kuptojnë se çfarë mund të bëhet me talentin dhe se si A-ja e marketingut nis me shitjen e një produkti shumë të thjeshtë (stilolapsi).
Blerina është gjithashtu e angazhuar me brezin e ri jo vetëm në mësimdhënie, por edhe në aktivitete të tjera, ndër të cilat edhe në evente start-up-i, duke i shërbyer të rinjve si një mentore për ide inovative dhe nxitëse e shpirtit të tyre sipërmarrës. Ajo tha se kryesisht tek të rinjtë shqiptarë vëren se duan të punojnë fort për të patur sukses dhe para, pa përjashtuar edhe raste ekstreme, ku disa të tjerë mund të bien pre e lakmisë për “para të shpejtë dhe të lehtë”.
3 filma të tjerë ishin sugjerimet e të ftuarës për të gjithë ata që kanë nevojë për pak shembuj suksesi. Sigurisht që e kemi fjalën edhe për sukses të përkthyer në para.