Health & Beauty Lifestyle

Pecetat higjienike “Carefree” shkaktojnë kancer?

Një padi e re e ngritur ndaj markës së njohur të pecetave higjienike “Carefree” ka nxjerrë në pah rreziqet shëndetësore të lidhura me praninë e acidit perfluorooktanoik (PFOA), një substancë e njohur për shkaktimin e kancerit dhe toksicitetit riprodhues. Padia është paraqitur në Gjykatën e Lartë të Los Angeles nga “Ecological Alliance LLC”, e cila ka zbuluar se një test laboratorik i pavarur ka gjetur PFOA në pecetat intime.

Ekspertët shëndetësorë shprehen se ekspozimi ndaj PFOA është i lidhur me probleme serioze, përfshirë dëmtimin e mëlçisë, rritjen e kolesterolit, ndërhyrjen në zhvillim dhe rrezikun për disa lloje kanceri. Ky kimikat, i cili mund të qëndrojë në trup për deri në 50 vite, ka pasoja të rënda për shëndetin, duke përfshirë uljen e fertilitetit dhe hipertensionin te gratë shtatzëna.

Avokati i “Ecological Alliance”, Vineet Dubey, ka theksuar se është thelbësore që “Edgewell Personal Care Brands LLC”, pronarja e “Carefree”, të heqë PFOA nga produktet e saj ose të vendosë etiketë paralajmëruese. Ai theksoi se gratë përdorin këto produkte për 8 deri në 10 orë në ditë, duke e bërë ekspozimin ndaj PFOA-s të vazhdueshëm.

Studimet e fundit kanë shqetësuar gjithashtu për praninë e metaleve toksike në produkte të tjera menstruale, duke sugjeruar se konsumatorët mund të jenë të rrezikuar nga kimikate të dëmshme që përmbajnë tamponët dhe pecetat higjienike. Përdorimi i substancave perfluoroalkile dhe polifluoroalkile (PFAS) është rritur në produktet e konsumit për shkak të vetive të tyre rezistente ndaj ujit.

Ndërkohë që ndërgjegjësimi për rreziqet shëndetësore të lidhura me produktet e kujdesit personal po rritet, kjo padi tregon se edhe produktet e prodhuara në SHBA mund të paraqesin rreziqe të mëdha për shëndetin e konsumatorëve.