Rajoni

PE: Mali i Zi ka rrezikuar integrimin në BE për shkak të krizës politike!

Përmes një raporti, deputetët e Parlamentit Europian shprehën keqardhje për ngecjen e Malit të Zi në rrugën drejt integrimit në BE, si pasojë e krizës së brendshme politike. Po ashtu, eurodeputetët shprehën shqetësim lidhur me përpjekjet për ndërhyrje keqdashëse, sidomos nga Rusia, Kina e Serbia. Në Komisionin e Politikës së Jashtme, raporti u miratua me 51 vota pro, 3 kundër e 8 abstenime.

Ligjvënësit evropianë mirëpresin vazhdimin e përkushtimit të Malit të Zi për integrim në BE dhe mbështetjen e lartë që ekziston në opinionin publik. Eurodeputetët theksojnë se dështimi për të ndërtuar konsensus për çështjet e interesit kombëtar e mungesa e dialogut ndërpartiak e kanë vonuar progresin në reformat europiane, si dhe e kanë kthyer Malin e Zi në një vend me krizë të thellë institucionale e politike.

Raporti u hartua nga deputeti kroat, Tonino Picula:

Deputetët presin formimin e një qeverie pro-europiane sa më shpejt që të jetë e mundur, një qeveri e cila në mënyrë të qartë dhe pa dyshime, mbështet politikat dhe vlerat europiane, në përputhje me pritshmëritë e shumicës domethënëse të qytetarëve të këtij vendi.

Mali i Zi cilësohet lider në Ballkanin Perëndimor sa i përket procesit të anëtarësimit në BE. Ky vend ka qenë kandidat që nga viti 2010 e më 2012-ën, hapi bisedimet për anëtarësim. I çeli të gjithë kapitujt e procesit të anëtarësimit, por përkohësisht mbylli vetëm tre kapituj.

Pavarësisht faktit se vlerësohet si vendi më i përparuar në bisedimet për anëtarësim që nga viti 2012, Mali i Zi nuk ka zhvilluar asnjë konferencë ndërqeveritare. Kjo për shkak të përparimit të pamjaftueshëm në procesin e reformave, hap shumë i nevojshëm për të shënuar përparim në bisedimet për anëtarësim.

Mali i Zi mbajti votime të parakohshme parlamentare më 11 qershor. Lëvizja Evropa Tani fitoi më shumë vota, përkatësisht 26%. Qeveria e re që pritet të formohet nga Milojko Spajiç do të jetë e treta që nga largimi i Partisë Demokratike të Socialistëve të Milo Gjukanoviçit nga pushteti, në gusht të vitit 2020.