Nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe Kundër Krimit të Organizuar, (SPAK), Partia Demokratike kërkon që të hetojë procedurën e shpalljes si investitor strategjik të vëllait të kryetarit të FRESSH-it, Turjan Hysko, si dhe ish-nënkryetarit të Bashkisë Vorë, Hekuran Brahimaj.
Sot në një deklaratë për mediat, Genta Vangjeli, zëdhënëse e Antikorrupsionit në PD, kërkoi nga SPAK-u të hetojë procedurën e ndjekur për këtë investim strategjik, që do të përfshijë tokë shtetërore e private duke zbardhur dhe burimin e të ardhurave të ligjshme, në lidhje me zbatimin e këtij projekti.
Listës së investitorëve strategjikë të kryeministrit strategjik Edi Rama i është bashkuar edhe ish-nënkryetari socialist i Bashkisë Vorë, Hekuran Brahimaj. Në këtë investim strategjik, ish-nënkryetarit socialist të Bashkisë Vorë do t’i bashkohet edhe një tjetër personazh i radhëve të Rilindjes. Ai është Turjan Hysko, vëllai i ish-deputetit socialist dhe kryetar i FRESSH-it, Elio Hysko.
Sipas zëdhënëses Genta Vangjeli, ky vendim është marrë më datë 23 korrik të këtij viti dhe shtoi se investimi parashikohet të jetë me vlerë 50 milion euro.
Edi Rama miratoi në parim masa mbështetëse për vënie në dispozicion të pasurisë së paluajtshme shtetërore me sipërfaqe prej 76,950 m2, në ZK.2518, e zërit kadastral ‘ullishte’ dhe ‘pemtore’.
Projekti prek një sipërfaqe prej 41,915 m2 në pronësi ‘private’ të subjekteve aplikuese e po ashtu një sipërfaqe prej 76,950 m2 në pronësi ‘shtet’. Ndërkohë, subjektet për një sipërfaqe prej 39,009 m2, ende janë në fazë negociatash me subjekte private.
Theksojmë se veprimet procedurale të Ministrisë së Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Bashkisë Himarë që i duhej me patjetër Edi Ramës pikërisht për këto arsye, si dhe Sekretariatit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU) do të jenë në vëmendjen tonë, deklaroi Genta Vangjeli.