Kryetari i grupit demokrat, Gazment Bardhi refuzoi ftesën e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj për konsultime në lidhje me datën e zgjedhjeve. Në një reagim, Bardhi shkruan se nuk pranon të përfshihet në një proces që e quan “farsë”. Sipas tij, data është paracaktuar nga Rama-Balla.
Të hënën, ora 10:30, Sekretari i Përgjithshëm i PD dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, janë ftuar zyrtarisht nga Institucioni i Presidentit të Republikës për t’u bërë pjesë e një procesi “konsultimesh” lidhur me datën e zgjedhjeve. Personalisht refuzoj të përfshihem në një proces farsë dhe që synon vetëm t’i jap legjitimitet një akti të diktuar në mënyrë antikushtetuese nga partia në pushtet.
Caktimi i datës së zgjedhjeve është kompetencë kushtetuese e Presidentit të Republikës dhe kurrësesi një akt që diktohet nga Edi Rama dhe Taulant Balla. Tashmë dyshja Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve dhe Presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet. Farsa e gjoja konsultimeve me parti politike dhe madje edhe me individë pa parti, është një akt i shëmtuar që meriton vetëm të përbuzet.
Presidenti i Republikës ka patur të gjitha shanset që të vepronte si figurë unifikuese dhe të luante rolin kushtetues të Kreut të Shtetit. Ka qenë zgjedhja e Presidentit të Republikës që të bëhet palë politike dhe të mos mbajë asnjë qëndrim për gjendjen ku ndodhet sot Shqipëria.
Madje me heshtjen e tij shurdhuese, Presidenti i Republikës po nxit Trupin Diplomatik të Republikës së Shqipërisë në mbarë botën që të përfshihen në organizimin dhe pjesëmarrjen në turin e takimeve politike/elektorale të Partisë Socialiste, ku Edi Rama kërkon votë për partinë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme.
Edhe pse është vënë zyrtarisht në dijeni, Presidenti i Republikës ende nuk ka marrë leje nga Edi Rama për të reaguar dhe për t’u distancuar publikisht nga ky veprim i paligjshëm i Trupit Diplomatik të dekretuar prej tij. Një President që sillet si palë politike meriton vetëm injorim dhe çdo takim me të është vetëm humbje kohe!
Në kuadër të konsultimeve me Begajn, sot në Presidencë ishin edhe Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho nga Partia e Lirisë. Blushi u shpreh:
Qëndrimi i Partisë së Lirisë ishte që është e pranueshme çdo datë veç asaj të caktuar nga Taulant Balla. Kjo është një mundësi edhe për institucionin e Presidentit për të treguar pavarësi nga pretendimi se ky institucion mund të jetë kthyer në një noter të dytë të maxhorancës, pas Kuvendit.