Luan Hoti është i propozuari i degës së PD në Durrës për kandidat për kryebashkiak të qytetit bregdetar. Mësohet se propozimi PD, dega Durrës, i është nisur Kryesisë qendrore për miratim.
Në Bashkinë Durrës, Partia Socialiste do të garojë me Emirjana Sakon e cila është aktualisht edhe kryetare në detyrë.
Ndërsa pas mbajtjes së Primareve të dielën, fitues për kandidat për kryebashkiak të Durrësit nga grupi i ish-kryeministrit Sali Berisha doli Ardian Muka.
Pas Durrësit edhe Dega e PD Rrogozhinë ka finalizuar procesin e përzgjedhjes së kandidatit për Kryetar Bashkie. Pas konsultimeve dhe një procesi në bazë prej disa ditëve, mbrëmjen e sotme Kryesia e Degës se PD Rrogozhinë ka miratuar propozimin për kandidatin për Kryetar Bashkie. Sipas burimeve në PD, Ferdinand Saraçi është emri i propozuar nga demokratët e Rrogozhinës.
Sipas afateve të vendosura nga Kryesia e PD, baza e partisë dhe Kryesitë e Degëve në 6 bashkitë, duhet të propozojnë kandidatët brenda ditës së nesërme. Kandidatët e propozuara nga baza do i nënshtrohen më pas shqyrtimit dhe miratimit nga Kryesia e PDSH.