Aktualitet Politikë

PD: Prokuroria të nisë hetimin për situatën e krijuar në Vlorë nga përmbytjet!

Partia Demokratike, dega Vlorë, reagoi për përmbytjet dhe dëmet e shkaktuara në qytetin bregdetar jugor. Kryetari Atird Hoxha, i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet se sipas tij “nuk janë marrë masat e duhura dhe s’ka pasur reagim në kohë duke krijuar edhe këtë situatë të rëndë” në qytetin e Vlorës.

Përmbytjet e fundit që kanë goditur qytetin tonë kanë sjellë pasoja të rënda për shumë familje dhe pronat e tyre. Fatkeqësisht, këto ngjarje të rënda dhe të përsëritura janë pasojë e mungesës së investimeve të qëndrueshme në infrastrukturën urbane dhe planifikimin afatgjatë nga ana e bashkisë dhe qeverisë së Rilindjes, tha Hoxha.

Sipas tij, “qyteti nën ujë, është një tregues i qartë i papërgjegjshmërisë në menaxhimin e tij”.

Përfundimisht, kjo qeveri, ky model nuk kanë më turp e cipë dhe nuk duan të dinë më për qytetin e qytetarët. Mungesa e energjisë elektrike në të gjithë qytetin për orë të tëra ka përkeqësuar gjendjen në shumë zona për shkak të mosfunksionimit të sistemeve.

Atird Hoxha nënvizoi se “Vlora dhe vlonjatët nuk e meritojnë këtë”.

Në këto kushte Partia Demokratike Dega Vlorë i bën thirrje Prokurorisë të nisi menjëherë hetimin për situatën e krijuar në qytetin tonë pasi është e qartë se nevoja për masa paraprake dhe efektive nuk është përmbushur, duke lënë qytetin të pambrojtur e në mëshirën e fatit.

Më herët, kryetari i bashkisë, Ermal Dredha, në një prononcim për mediat bëri të ditur se shkaku i vërshimeve ishte sasia e madhe e reshjeve që ra për dy orë e gjysmë, e cila ishte shumë më e lartë se norma e zakonshme. Dredha theksoi se rreth 180 mm shi ranë brenda kësaj periudhe, që është e barabartë me sasinë e reshjeve për një muaj. Sipas tij, ekipet e bashkisë kanë bërë të mundur evakuimin e 55 familjeve.

Aktualisht po monitorohet gjendja për të llogaritur dëmet e shkaktuara. Deri tani, 55 persona janë evakuuar dhe po shqyrtohet mundësia për mbështetje financiare për familjet e dëmtuara, në bashkëpunim me Shtabin e Emergjencave, menjëherë pas normalizimit të situatës, deklaroi kreu i bashkisë.

Ai u shpreh se situata është normalizuar.

Prurja e reshjeve ka qenë tej normales. Rreth 180 mm shi për 2.5 orë është sasia e reshjeve që normalisht bie për një muaj. Për këtë arsye, kanali i ujërave, me atë masë prurjesh, ka dalë jashtë kapacitetit dhe si rezultat uji ka përmbytur qytetin.

Po ashtu, bëri të ditur se qytetarët ishin njoftuar për situatën që pritej dhe ishin këshilluar të merrnin masa.

Një ditë më parë, ne i paralajmëruam qytetarët për reshjet, duke i këshilluar që të ishin të kujdesshëm, sepse e prisnim që do të kishte reshje. Të gjitha kanalet janë pastruar më parë për të qenë gati për sezonin e reshjeve, por sasia e prurjeve ishte jashtë normales, tha Dredha.