Partia Demokratike ripërsërit kërkesën për shpalljen Muze Kombëtar të “Kampit të Punës së Detyruar të Burgosurve në Spaç” dhe “Kampin i Internimit të Tepelenës.
Anëtarja e Kryesisë së PD, Taulanta Jupi, thotë se propozimi i qeverisë për ndërtimin e një muzeu të vogël në Reps, rreth 7.5 km larg Spaçit, do shkaktojë humbjen e interesit mbi vlerat e tij si trashëgimi historike.
Jupi tha se PD ka dy vite që e ka propozuar ligjin, por nuk ka asnjë vendimmarrje.
“Burgu i Spaçit është vendi i gjallë i memories, dhimbjes e dëshimsë së vuajtjes çnjerëzore. Me shqetësim konstatojmë se “Plani i Menaxhimit për ish- Burgun e Spaçit”, parashikon ndërtimin e një muzeu të vogël në Reps, vendndodhje gjeografike rreth 7.5 km larg Kampit –Burg të Spaçit. Ky plan për të ndërtuar muzeun larg vendit të memories do ta shndërrojë burgun e Spaçit në një aneks dhe një site plotësues të muzeut të Repsit, duke shkaktuar humbjen graduale të interesit mbi vlerat e tij si trashëgimi historike, si një vend memorie e dëshmisë së gjallë, si një moment reflektimi dhe përballje emocionale me të vërtetën, e për rrjedhojë degradimin e plotë të tij në harkun e pak viteve.
Partia Demokratike e Shqipërisë mbetet e vendosur në propozimin dhe rikonfirmon qëndimin e saj se Kampi –Burg i Spacit duhet të shpallet Muze Kombëtar, dhe pikërisht në Spaç të ndërtohet një muze i mbështetur dhe financuar nga shteti shqiptar me vetëdijen se mund dhe duhet të kujdesemi për memorien tonë historike si dëshmi e një pendese kolektive duke vendosur të paktën moralisht drejtësinë”, tha Jupi.