Pas vendimit të Gjykatës së Apelit që për kallëzim të rremë lidhur me dosjen “Babale”, sot la në fuqi dënimin me një vit burg nga Shkalla e Parë për Ervin Salianjin, PD-ja ka njoftuar mbledhje urgjente në seli të grupit parlamentar. Deputeti demokrat foli pas vendimit të Apelit e tha:
Gjykata kishte ardhur me vendim të parapërgatitur. Seanca u shty për të marrë vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për pushimin e çështjes. Pra, një vendim i falsifikuar për të hapur këtë proces për kallëzim të rremë në Shkallën e Parë. E shtyu për t’i dhënë mundësi atij që e ka ndërtuar që nga fillimi deri në fund këtë proces, që është Fatmir Xhafaj, për të sjellë nëpërmjet avokatit të tij vendimmarrjen me vulë të njomë. Në mënyrë të paprecedentë, gjykata në vend që ta rikthente për shkak të falsifikimit të dosjes në Gjykatën e Shkallës së Parë, mori vendim për ta pranuar në fillim si provë dhe më pas për të dhënë një vendim që ishte i shkruar.
Eshtë një vendim marrje e gjykuar nga gjyqtarë që është njësoj sikur të të gjykojë një strukturë e PS-së një seksion të PD-ë. Nga të dhënat që kam mbledhur këto ditë, kam parë që vendimmarrja u shty, pa patur nevojë për shtyrje e për t’u marrë sot. Njëra prej gjyqtareve është kunata e Belinda Ballukut. Mendoni ju që do të japë drejtësi për një përfaqësues të PD-së?
Një prej gjyqtarëve të tjerë, superordiner, që në të ardhmen do keni prova për të, është njeri që flet nëpër tavolina se do të shkojë në Gjykatën e Lartë e për të shkuar atje, “unë vras një njeri e jo më të jap një vendim për një politikan të opozitës”.
Në të gjithë elementët e një dosjeje të kopsitur nga fillimi deri në fund, e bën këtë vendimmarrje, një vendimmarrje politike, një dënim politik. Dënimin e parë për pas 32 vitesh për agjitacion dhe propagandë.
Unë kam bërë një shërbim të madh në shërbim të publikut dhe do ta bëj në çdo formë e mënyrë, sido të jetë. Nuk kam bërë një betejë për veten, nuk kam bërë një betejë për interesa personale, nuk kam bërë një betejë për të vjedhur siç vjedhin këta, nuk kam bërë një betejë për të vrarë, nuk kam bërë një beteje për trafik droge, por kam bërë një betejë kundër trafikantëve të drogës dhe kundër maskarenjve në këtë vend.