Aktualitet Politikë

PD: Në shkelje të ligjit, urgjenca e dekretimit të zgjedhjeve në Himarë!

Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso tha se vendimi i presidentit Bajram Begaj për të dekretuar 4 gushtin si datë të zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës është në shkelje të Kushtetutës. Kaso u shpreh se “kryetari i zgjedhur Fredi Beleri, dje u “ekzektua” edhe politikisht, pasi sipas tij, “u mor peng juridikisht para 14 muajsh”.

Në një seancë urgjente, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi shkarkimin e Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës. Sapo KQZ-ja mori vendimin e shkarkimit, Edi Rama i dërgoi Presidentit kërkesën e parapërgatitur dhe e urdhëroi të shpallte datën e zgjedhjve për Bashkinë Himarë. Institucionet e pushtetit nuk reagojnë me kaq shpejtësi as në raste emergjencash kombëtare, siç e ka dëshmuar tërmeti apo COVID-19.

Kjo urgjencë dëshmon edhe njeherë se Fredi Beleri nuk është një i dënuar i shtetit shqiptar, por një i marrë peng, një i burgosur politik i pushtetit të Edi Ramës.

Sipas tij, KQZ-ja veproi në shkelje flagrante të ligjit nr. 138/2015 dhe Vendimit të Kuvendit nr. 17/2016 ku përcaktohet se: verifikimi i kushteve të zgjedhshmërisë nga KQZ bëhet vetëm mbi bazën e të dhënave të vetdeklarimit të kandidatit në momentin e paraqitjes së kandidaturës.

Komisioneri i ka verifikuar të dhënat e formularit të Dekriminalizimit të Fredi Belerit dhe ka marrë vendimin nr. 611 datë 25.05.2023 për vlefshmërinë e mandatit të fituar në zgjedhjet e 14 majit. Rrethana dhe fakte të ndodhura pas plotësimit të formularit të vetëdeklarimit nuk janë kompetencë e KQZ-së, por e organeve të tjera kushtetuese.

Fredi Beleri duhej të betohej e të merrte mandatin dhe më pas mund të shkarkohej nga Edi Rama, siç parashikon edhe Kushtetuta, Neni 115 i saj apo Neni 62 i ligjit nr. 139/2015.

Thënë shkurt, kryetarit të zgjedhur të Himarës nuk i është dhënë as e drejta e apelimit të vendimit. Antikushtetues është edhe Dekreti i Presidentit. Sipas Nenit 10/3 të Kodit Zgjedhor, Presidenti i vendit shpall zgjedhjet e parakohshme pasi ka kaluar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar. Presidenti i vendit ka zbatuar një akt administrativ që nuk i ka filluar efektet, pasi nuk ka mbaruar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar, madje pa filluar ende afati i ankimit, nënvizoi Ivi Kaso.