Partia Demokratike përkujtoi atë që e cilëson si “80-vjetorin e vrasjes së 39 intelektualëve të Tiranës”. Përmes teknologjisë, kryetari Sali Berisha, online u bë pjesë e aktivitetit që u zhvillua në rrugën “George W Bush” para parlamentit nga kreu i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni. Berisha tha se kjo ditë “shënon zëvendësimin e një pushtimi të huaj, me një pushtim të egër, barbar, të brendshëm që nuk do të zgjaste 1 apo 2 vite por 46 vite”.
Më 17 nëntor, banda terroriste e Enver Hoxhës, e shndërruar totalisht në vegël të Beogradit do të vendoste në Tiranë pushtetin e saj, pasi kishte shndërruar luftën e shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar, në një luftë vëllavrasëse antikombëtare. Sot, ne nderojmë 39 viktima të masakrës tetor-nëntor. Në fakt ata janë mbi 100.
Në këtë ditë, nderojmë një nga masakrat, aktet terroriste më të shëmtuara të regjimit, e projektuar nga të dërguarit e Beogradit, dhe përfaqësuesi i tyre në Shqipëri, Enver Hoxha.
Sot, pas 80 viteve, e vërteta është se Shqipëria, përjeton një diktaturë të re, e cila nuk ka të shpallur si ideologji udhëheqëse, ideologjinë marksiste-leniniste por përdor të gjitha metodat terroriste të saj, për të mbajtur pushtetin, për të kontrolluar vullnetin e shqiptarëve, për të kontrolluar ekonominë e tyre, mediat, shoqërinë civile.
Detyrimi ynë sot dhe nderimi më i madh që mund t’i bëjmë sakrificës së martirëve të masakrës së tetor-nëntorit por edhe mbi 6 mijë shqiptarëve të tjerë që ranë për t’u bërë të pavdekshëm nga terrori i kuq komunist në burgjet e kampet e tij dhe dhjetëra mijëra të tjerëve që u burgosën, u persekutuan, është të ngrihemi kundër kësaj diktature.
Berisha vuri në dukje se “fitorja e presidentit Donald Trump duhet të frymëzojë çdo shqiptar, të angazhohet në këtë betejë për Shqipërinë”.
Sigurisht, kjo nuk është një arritje vetëm për qytetarët e SHBA-ve. Fitorja e presidentit Donald Trump është një arritje për njerëzit e lirë, një mrekulli për njerëzit e lirë në mbarë botën. Kjo fitore duhet të frymëzojë çdo shqiptar, me guxim dhe përkushtim, të angazhohet në këtë betejë shpëtimtare, për Shqipërinë, për shqiptarët.
Në programin e PD-së, prioritet do të kenë ish-të përndjekurit politikë.
Me nderimin tim më të thellë për martirët e masakrës tetor-nëntor 1944, për martirët që ranë për t’u bërë të pavdekshëm në diktaturën më të egër që Europa njohu gjatë 46 viteve, familjet e tyre, të përndjekurit politikë, i garantoj se PD-ja ndihet pafundësisht e detyruar ndaj kontributit të tyre, edhe në vetë ekzistencën e kësaj partie në momente kritike të saj. Çështjet themelore të kësaj shtrese të nderuar do të jenë çështje kryesore të programit të saj. Nderim përjetë kujtimit të martirëve të masakrës së tetor-nëntorit të terrorit të kuq në Tiranë!