Aktualitet Politikë

PD-ja me propozim të ri ligjor për rimbursimin e taksave të paguara nga profesionistët e lirë!

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, i përfaqësuar nga Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi kanë dërguar në Kuvendin e Shqipërisë një propozim të ri ligjor në mbrojtje të profesionistëve të lirë dhe shtresës së mesme. Kjo nismë ligjore synon rimbursimin e taksave të paguara padrejtësisht nga profesionistët e lirë.

Ky është propozimi ligjor që, bashkë me z. Bardhi, po e dorëzojmë për rimbursimin e çdo qindarke të paguar nga profesionistët e lirë, tha Tabaku.

Deputetja e PD-së kritikoi qeverinë për mosveprimin e saj pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Nëse një qytetar apo biznes do të ishte debitor ndaj qeverisë, ajo do të përdorte të gjithë forcën e shtetit për ta marrë borxhin. Sot, kur është radha e qeverisë t’u kthejë paratë qytetarëve, ajo heziton, u shpreh ajo.

Gazment Bardhi, në mbështetje të këtij propozimi, theksoi rëndësinë e mbrojtjes së profesionistëve të lirë dhe shtresës së mesme si shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare.

Ne jemi të vendosur të qëndrojmë në krah të tyre dhe të sigurojmë që drejtësia të vihet në vend, deklaroi Bardhi.

Ai nënvizoi se, ky hap tregon angazhimin e Partisë Demokratike për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të promovuar politika që favorizojnë rritjen ekonomike e sociale të vendit.

Iniciativa është një tjetër premtim i mbajtur ndaj shtresës së mesme dhe dëshmi e vullnetit të opozitës për të qëndruar pranë tyre.

Në fund të korrikut, Gjykata Kushtetuese ka zbardhur të plotë vendimin se pse shfuqizoi taksën 15% – 23% për 29 mijë biznese që furnizonin shërbime apo të quajtur profesionistët e lirë në seancën e 27 qershorit 2024.

Në argumentet e saj, e fillon me faktin se ligji kishte efekt prapraveprues, që shkon kundër logjikës së sistemit tatimor, pasi deklaratat e 2024-ës bazoheshin mbi ato të një viti më parë kur taksa ishte zero.

Më tej, vijon me argumentet duke mbështetur plane paditëse dhe e ka cilësuar masën si një barrë shpërpjesëtimore e se mjeti i zgjedhur është i ashpër, jo i domosdoshëm dhe jo i përshtatshëm. GJK thotë se qeveria shkeli parimin e sigurisë juridike pasi bizneset që do ishin pjesë e taksimit u njoftuan për këtë vetëm 10 ditë më përpara se skema të fillonte zbatimin.

Nuk mund të vihet shenja e barazimit mes një të punësuari dhe të vetëpunësuari pasi këta të fundit kanë përsipër rreziqet e sipërmarrjes dhe nuk janë të mbrojtur nga Kodi i Punës ashtu si punonjësit.

Në këtë mënyrë hidhet poshtë një nga argumentet kryesore të qeverisë, se profesionistët e lirë janë evazorë që dalin jashtë listëpagesave.