Nga Kryesia e Kuvendit, kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka bëri publike propozimet e opozitës për të shkëputur ato që i quajti “lidhje të narko-qeverisë me krimin”. PD-ja do të propozojë ngritjen e Komisionit të së Vërtetës që të hetojë zyratrët e lartë e bashkëpunimin e tyre me krimin. Po ashtu, Paloka hodhi poshtë se edhe deputetë të opozitës kanë dalë në përgjimet e SKY dhe Ecc.
Jemi në një narko-regjim, Shqipëria s’plotëson asnjë nga kushtet për t’u integruar në BE. Ja disa nga prioritetet e PD për integrimin në BE:
1- Reforma Zgjedhore. Prej 11 vitesh, maxhoranca s’pranon trekomandimet e OSBE-ODHIR/it, Rama dhe regjimi i tij shkelin të gjitha të drejtat e opozitës, nuk arrihen standardet evropiane minimale të zgjedhjeve.
2- Reforma në Drejtësi. Qytetarët përballen me një torturë që nuk e kanë kaluar ndonjëherë në dyert e drejtësisë. Mbi 136 mijë dosje në sirtaret e gjykatave. Me këto ritme, duhen 14.6 vite që t’i zgjidhet çështja. 10 vite për një dosje penale. Sot pak muaj para zgjedhjeve, tre liderët e opozitës, Berisha nën arrest, Meta dhe Mediu nën hetim dhe persekutim publik nga çështjet penale ndaj tyre.
Rastet e dënimeve janë evidente dhe prezente. Kolegu ynë u detyrua të shkonte pas hekurave se tha ca të verteta për vëllanë e Fatmir Xhafajt, i cili në fakt i është ngarkuar nga Rama të drejtojë ndryshimet e Reformës në Drejtësi. Me një dosje të ngritur me dëshmitarë të rremë, sot Salianji është në burg, njëjtë si Beleri, ndërsa u zgjodh eurodeputet duke qenë në burg. Ky parlament që flet për drejtësinë, madje dhe suksese, arrin deri aty sa nuk zbaton vendimet e Kushtetueses. ‘Xhaçka’ është qëndrimi i maxhorancës ndaj kësaj gjykate e jo vetëm.
3-Kontratat PPP, korruptive që duhen të zhvillohen me tendera ndërkombëtarë të shkelur nga kjo qeveri.
Do të ketë qëndrim dhe propozim konkret, për lidhjen e krimit me politikën, kanë dalë në përgjimet e Encro Chat, Sky, biseda se në çfarë niveli, deputetë, ministra të maxhorancës janë të lidhur me krimin. Del zbuluar si funksionon drejtësia e re ku prokurorë e gjyqtarë marrin përsipër lirimin e vrasësve.
Ngritja e Komisionit të së Vërtetës, që do të kërkojë të zbardhë lidhjet e politikës me krimin.
Në informacionet tona, dalin deputetë e ministra të maxhorancës, nuk ka nga opozita. Janë histori të sajuara, s’ka deputetë të opozitës për lidhje me krimin apo të jenë ngatërruar. Eshtë informacion i rremë për median për deputetët e opozitës, është sajesë e qëllimshme për të shantazhuar deputetët e për t’i mbyllur gojën opozitës.