Aktualitet Politikë

PD-ja kërkon t’i hiqet mandati, Sinaj: Asnjë lek i përfituar nga Buxheti i Shtetit!

Deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj reagoi sot pas kërkesës së Partisë Demokratike, PD lidhur me heqjen e mandatit të tij si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, me pretendimin se “ka përfituar para nga Buxheti i Shtetit përmes bizneseve që ka në pronësi”.

Në një postim në rrjetet sociale, Sinaj theksoi se nga viti 2017 ka dhënë dorëheqje nga administrimi i të gjitha bizneseve të tij, duke iu përkushtuar vetëm politikës. Ai vuri në dukje se prej vitesh dhuron rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe se “as i shkon mendja të përfitojë financiarisht nga Buxheti i Shtetit”. Për deputetin socialist, “kjo këngë gjinkallash përsëritet prej vitit 2017”.

Reagimi i deputetit Sinaj: 

Mësova me habi dhe jo pa humor, kërkesën për mocion të Partisë Demokratike për heqjen e mandatit tim si përfaqësues i Partisë Socialiste në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Gjobëvënësit mediatikë e përsërisin këtë këngë gjinkallash nga viti 2017. Por, surpriza është që thashethemet e portaleve përdoren nga opozita duke i kthyer në akte politike.

Nga viti 2017 kam dhënë dorëheqje nga administrimi i të gjitha bizneseve duke iu përkushtuar vetëm politikës.

Me vendimet e depozituara në QKB në vitin 2017, kam vendosur transferimin e të gjitha kuotave të kompanive, sipas ligjeve në fuqi. Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet.

Prej vitesh dhuroj rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe as më shkon mendja që të përfitoj financiarisht nga Buxheti i Shtetit.

Një ditë më parë, grupi parlamentar i PD-së bëri të ditur se po mbledh të gjitha provat për të përgatitur dosjen zyrtare, e cila më pas do të dorëzohet në Kuvend.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do t’i kërkojë Kuvendit të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit socialist Vullnet Sina.

Nga verifikimi i të dhënave të Thesarit të Shtetit, rezulton se deputeti Sina në kundërshtim flagrant me nenin 70, pika 3 e Kushtetutës, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit, në vlerë disa milion lekë, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës ku ushtron edhe mandatin e deputetit.

Deputeti Vullnet Sina i shpallur si “deputet kampion” nga Edi Rama në Kongresin e fundit të Partisë Socialiste, rezulton se qënka kampion në përfitimin e parave publike në kundërshtim flagrant me Kushtetutën.

Mocioni, së bashku me të gjitha provat që kompanitë e tij kanë përfituar pagesa miliona lekshe, në mënyrë të vijueshme nga Buxheti i Shtetit është duke u përgatitur dhe do të dorëzohet gjatë kësaj jave zyrtarisht në Kuvend.