Partia Demokratike kërkon që projektligji i ri për kërkimin shkencor në Shqipëri të tërhiqet, duke thënë se bie ndesh me Kushtetutën dhe me ligje të tjera, si ai “Për Arsimin e Lartë” dhe ligji “Për Akademinë e Shkencave”. Deputetja Ina Zhupa, kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, tha se “ky projektligj është futur për miratim në komisionin përgjegjës, pa rregullore, për ta miratuar dhe kaluar në seancë plenare”.
Kërkimi shkencor dhe shkenca nuk është çështje elitare por kombëtare sepse lidhet me zhvillimin e vendit, me kapitalin e tij njerëzor dhe me të ardhmen si vend i zhvilluar apo si vend depozitimi mbetjesh, refugjatësh, droge, krimi.
Në një deklaratë për mediat, Zhupa renditi arsyet themelore se pse ky draft nuk është i pranueshëm për Partinë Demokratike.
Së pari, ligji duhet të mos bjerë në kundërshti me Kushtetutën, siç bie tashmë në Pikën 7, të Nenit 57 ku thuhet se autonomia e institucioneve të Arsimit të Lartë dhe liria akademike janë të garantuara me ligj.
Së dyti, gjithë përplasjet me ligjin “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor duhet të zgjidhen në mënyrë integrale në ligj.
Së treti, zhbërja e Këshillit Shkencor me përbërje ministrash dhe drejtorësh politikë, me në krye kryeministrin Rama është një model antishkencor dhe antieuropian.
Deputetja e PD-së deklaroi se “projektligji i jep tagër ministrit të klasifikojë fushat e kërkimit shkencor, si detyrim për shkencën, ndërkohë kjo është pa sens”.
Tjetër është liria për kërkimin shkencor dhe tjetër janë prioritetet që mund të ketë shteti dhe shoqëria në këtë fushë.
Së pesti, projektligji i propozuar i jep role dhe funksione të jashtëligjshme Akademisë së Shkencave.
Së gjashti, krijon mbivendosje, paqartësi dhe përplasje në përfitimin e titujve dhe gradave e krijon emërtime të reja për kërkimin shkencor.
Së shtati, kriteret dhe procedurat për krijimin e instituteve e të njësive të veçanta publike të kërkimit shkencor, si dhe krijimi i tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Së fundmi, mbyllja e instituteve shkencore ka nonsense me procese që varen nga ministria: fillimisht i paralajmëron, pastaj i vrojton dy vjet dhe më pas i mbyll.
Për këto arsye, por edhe të tjera, kundërshtojmë plotësisht draftin në Kuvend dhe bëjmë thirrje për tërheqjen e tij.