Aktualitet Politikë

PD-ja çon në Kuvend mocionin për heqjen e mandatit të deputetit Vullnet Sinaj!

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përmes Mocionit të 1/10 së deputetëve të Kuvendit, ka kërkuar sot zyrtarisht që Kuvendi të nisë procedurën parlamentare për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj.

Në Mocionin e firmosur nga 14 ligjvënës opozitarë, evidentohet përmes 30 provave shoqëruese, se deputeti Sinaj ushtron mandatin në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, që i ndalojnë deputetit që të përfitojë fonde nga Buxheti i Shtetit apo pasuri të shtetit.

Nga verifikimi i të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit rezulton se deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj, nëpërmjet kompanive në pronësi të tij, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit.

Pronësia mbi këto shoqëri dhe fakti që fitimet kanë shkuar si divident për vetë deputetin Vullnet Sinaj rezulton i provuar edhe nga Deklaratat Vjetore të deklarimit të pasurisë për subjektin Vullnet Sinaj.

Për rrjedhojë, Kuvendi i Shqipërisë, në respekt të detyrimeve që rrjedhin nga neni 70, pika 4, e Kushtetutës së Shqipërisë, dhe neni 119/1, pika 2, të Rregullores së Kuvendit, duhet të vendos për dërgimin e mocionit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, për të konstatuar papajtueshmërinë dhe mbarimin e mandatit të deputetit Vullnet Sinaj.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar nga Kryetarja e Kuvendit që të mbledhë Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet për shqyrtimin e mocionit të paraqitur nga subjekti kushtetues jo më pak se 1/10 e deputetëve të Kuvendit, përfshirjen në Rendin e Ditës së një prej seancave më të para të Kuvendit dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj.

Lidhur me këtë kërkesë, më herët ka reaguar edhe vetë deputeti i PS-së, Vullnet Sinaj. Ai theksoi se nga viti 2017 ka dhënë dorëheqje nga administrimi i të gjitha bizneseve të tij, duke iu përkushtuar vetëm politikës.

Me vendimet e depozituara në QKB në vitin 2017, kam vendosur transferimin e të gjitha kuotave të kompanive, sipas ligjeve në fuqi. Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet. Dhuroj prej vitesh rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe as më shkon mendja të përfitojë financiarisht nga Buxheti i Shtetit.