Shitjet globale të Tesla-s kanë rënë për tremujorin e dytë radhazi, pavarësisht uljeve të çmimeve dhe ofertave të financimit me interes të ulët, një tjetër shenjë e dobësimit të kërkesës për produktet e kompanisë dhe automjetet elektrike në përgjithësi. Kompania e Austin, Teksas, tha së fundmi se shiti 436,956 automjete nga prilli deri në qershor, 4,8% më pak nga 466,140 të shitura në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Por shitjet ishin më të mira se shifra prej 436,000 që prisnin analistët. Kërkesa për EV në mbarë botën po ngadalësohet, por ato janë ende në rritje për shumicën e prodhuesve të automjeteve. Tesla, me një linjë modelesh të vjetruara dhe çmime mesatare relativisht të larta të shitjes, është ballafaquar me probleme më shumë se prodhuesit e tjerë. Megjithatë, ajo ruajti titullin e prodhuesit më të shitur të automjeteve elektrike në botë.
Për gjysmën e parë të vitit, Tesla shiti më shumë se 910,000 automjete në mbarë botën, duke mposhtur me lehtësi BYD-në e Kinës, e cila shiti 726,153. Tesla nuk dha asnjë shpjegim për rënien e shitjeve dhe kompania do të publikojë fitimet e tremujorit të dytë më 23 korrik. Megjithatë, rënia e shitjeve të prodhuesit të automjeteve elektrike vjen pasi konkurrenca po rritet nga prodhuesit e vjetër të automjeteve dhe ato fillestare, të cilët po përpiqen të marrin pjesën e vetë të tregut. Rënia e shitjeve erdhi pavarësisht se Tesla uli 2000 dollarë nga çmimet e tre prej pesë modeleve të saj në SHBA në prill.
Kompania uli çmimet e Model Y, modelit më të popullarizuar të Teslas dhe automjetit elektrik më të shitur në SHBA, si dhe të Modeleve X dhe S. Rikujtojmë se Tesla ka aktivizuar dy robotë Optimus për të punuar në hapësirat e një fabrike të saj. Megjithatë është e paqartë se në cilën fabrikë po operojnë robotët apo çfarë detyrash po kryejnë. Në njoftimin më të fundit të fitimeve të Tesla në prill, Musk tha se Optimus do të jetë në gjendje të kryejë role në fabrikë deri në fund të vitit dhe mund të dalë në shitje deri në fund të 2025.