Kevin Spacey është nderuar së fundmi me një çmim për karrierën e tij pavarësisht polemikave mbi akuzat për ngacmime seksuale që kanë njollosur reputacionin e aktorit. Ai u vlerësua për kontributin personal në zhvillimin e gjinisë së dramës. Për këtë rast, 63-vjeçari ishte i ftuar për të folur në muzeun e kinemasë në Torino. Ai u shpreh se:
Jam vërtet i bekuar, mirënjohës dhe i përulur ndaj Muzeut të Kinemasë që pati guximin për të më ftuar.
Aktori fitoi çmimet Oscar për interpretimet në filmin ” American Beauty” dhe “The Usual Suspects”. Karriera e tij përfundoi disa vite më parë, pasi më shumë se 20 burra e akuzuan për ngacmim seksual. Javën e kaluar, aktori u shfaq përpara një gjykate në Londër, ku deklaronte pafajësinë e tij për disa akuza që rëndonin mbi të.
Do të shohim se si përfundon kjo çështje për Spacey-n, i cili para se të zbulohej i gjithë ky problem, ishte një nga aktorët më të njohur në Hollywood dhe kishte qenë një nga aktorët më të kërkuar të epokës së tij. Kevin do të mbahet mend gjithmonë për interpretimet e tij në ‘American Beauty’, ‘The Usual Suspects’ dhe ‘House of Cards‘. Që nga aktakuza e tij, ai nuk është rikthyer në ekranin e madh dhe nuk e dimë nëse do të luajë sërish në ndonjë film apo serial.