Aktualitet Bota

Pavarësia e SHBA-ve, mesazhi i presidentit Bajram Begaj!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj uroi sot 4 korrikun, festën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një mesazh, kryetari i shtetit shprehet se “Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një miqësi e partneritet të forcuar nga një përkushtim i përbashkët ndaj vlerave demokratike”.

Së bashku, si aleatë strategjikë, ne jemi të përkushtuar për të nxitur një të ardhme që mbështet dhe lavdëron këto parime.

Më 4 korrik 1776, Kongresi Kontinental, zyrtarisht miratoi Deklaratën e Pavarësisë. Festimet filluan brenda pak ditësh: parada dhe lexime publike, zjarre e qirinj dhe shkrepja e 13 fishekëve, një për secilin prej shteteve origjinalë. U desh të kalonte thuajse një shekull, para se vendi ta shpallte zyrtarisht  festë, themelimin e tij.

Në të gjithë Amerikën, tubimet për Ditën e Pavarësisë dhe festat e tjera janë po aq të vjetra sa vetë vendi. Por, raundi i parë i pushimeve federale, i identifikuar si i tillë sepse punonjësve federalë (fillimisht vetëm punonjësve federalë në Uashington, DC) u jepej një ditë pushimi, u nënshkrua si ligj vetëm në vitin 1870, nga Presidenti Ulysses S.Grant, pesë vjet pasi mbaroi Lufta Civile. Historianët vlerësojnë:

Lufta Civile konsolidoi fuqinë kombëtare në të gjitha llojet e mënyrave dhe festat kombëtare janë një ilustrim i këtij fakti. Festat e para ishin ato që nuk ngjallnin debat: Dita e Vitit të Ri, Dita e Pavarësisë, Dita e Falënderimeve, Krishtlindjet dhe ditëlindja e Xhorxh Uashingtonit (e miratuar më 1879-ën).

Dita e të Rënëve, nderimi i atyre që vdiqën në luftë, u bë festë federale deri në vitin 1888. Pesë festat e para federale u përpoqën të gjenin një emërues të përbashkët midis Veriut dhe Jugut. Të dyja palët e Luftës Civile pretenduan se kishin luftuar në frymën e Revolucionit Amerikan  ndaj ishte e lehtë për të dyja palët të nderonin ditëlindjen e Uashingtonit dhe Ditën e Pavarësisë.

Qofshin deklarime të atdhedashurisë apo drejtësisë sociale, festat federale pasqyrojnë një pjesë të ndjesisë së vendit për vetveten dhe si ndryshon ajo. Në dekadat para Luftës Civile, shpesh afro-amerikanët përjashtoheshin nga ngjarjet zyrtare të 4 korrikut dhe festonin më 5 korrik, duke njohur njëkohësisht 4 korrikun e distancën e tyre prej asaj dite. Me titull: “Çfarë është 4 korriku për skllavin?”, Frederick Douglass mbajti fjalimin e tij të famshëm të 5 korrikut 1852.