Aktualitet

“Pastrim parash”, Prokuroria Tiranë dërgon në gjyq një shtetas!

Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim shtetasin Fatjon Murati, për pastrim parash. Murati ende rezulton në kërkim për disa vepra penale si pjesëmarrja në organizatë kriminale dhe trafikim i lëndëve narkotike. Sipas organit të Akuzës së kryeqytetit, “këto pasuri i ngriti përmes të ardhurave nga aktivitetet kriminale, kryesisht të trafikimit të lëndëve narkotike në Itali, gjatë periudhës 2014-2015”. Ai “nuk justifikon 317 m2 garazh në Tiranë dhe tre makina Citroen, Mercedes Benz dhe Daimler”. Pasuritë i fshihte ne emër të familjarëve.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq të pandehurin F.M, i akuzuar për veprën penale, “Pastrim të produkteve të veprës penale apo përfshirjes në veprimtari kriminale”.

Sipas prokurorisë nga provat e grumbulluara gjatë hetimit paraprak, rezultoi e provuar se, ky shtetas, me anë të pasurisë (para cash) të krijuar nga veprimtaria e kundërligjshme e vjedhjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike të zhvilluar në Itali, për periudhën 2014-2015, ka investuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, duke i transferuar ato në emër të familjarëve të tij (nënës dhe vëllezërve) me qëllim mbulimin e origjinës së tyre dhe për të shmangur çdo pasojë juridike të mëtejshme mbi këto prona.

Konkretisht pasuritë janë: njësi, kati nëntokë në objekt 6-katësh, sipërfaqe 317 m2, adresë Albanopoli, Tiranë në pronësi të nënës; Automjet Citroen; Automjet Mercedes Benz; dhe Automjet Daimler.

Këto pasuri sipas Prokurorisë së Tiranës, në emër të nënës dhe 3 automjetet në emër të subjektit dhe vëllezërve, nuk justifikohen me të ardhurat e ligjshme të realizuara prej tyre.

Nga hetimet rezulton se ka të dhëna të mjaftueshme që të krijojnë bindjen se i pandehuri F.M., ka konsumuar plotësisht elementët e figurës së veprës penale “Pastrim të produkteve të veprës penale apo përfshirjes në veprimtari kriminale”.

Sipas prokurorisë shtetasi F.M. në bashkëpunim me gjashtë persona të tjerë, vepronin si pjesë e një organizate kriminale, të arrestuar nga policia italiane, fillimisht me tendencë vjedhjeje dhe më pas e kanë zgjeruar aktivitetin e tyre kriminal, duke përfshirë edhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Shtetasi F.M. është aktualisht i kërkuar në nivel kombëtar për evazion në vitin 2015, ‘pranimin e mallrave të vjedhura’, ‘posedim abuziv të armëve’, ‘Pjesëmarrjes në krime’ dhe për ‘Trafikim të lëndëve narkotike’.