Bota

Pasojat që mund të vijnë nga arrestimi i Pavel Durovit…

Kreu i Telegram, Pavel Durov, është akuzuar nga drejtësia franceze për lejimin e aktivitetit kriminal në aplikacionin e mesazheve, por shmangu burgun me kushtin e pagesës së 5 milionë eurove. Multimiliarderi me origjinë ruse, i cili ka nënshtetësi franceze, u lirua me kusht që të paraqitej në një stacion policie dy herë në javë dhe të qëndronte në Francë dhe nuk lejohet të largohet nga territori francez.

Akuzat kundër Durov përfshijnë bashkëpunim në përhapjen e imazheve seksuale të fëmijëve dhe një sërë shkeljesh të tjera të supozuara në aplikacionin e mesazheve. Prokurorët e Parisit thanë se Durov u vu nën hetim zyrtar mbi veprat e supozuara që përfshinin bashkëfajësi në administrimin e një platforme online për të mundësuar transaksione të paligjshme nga një bandë e organizuar, refuzimi për të komunikuar me autoritetet dhe bashkëfajësi në shpërndarjen e organizuar kriminale të imazheve seksuale të fëmijëv

Ajo që po ndodh me Durovin mund të krijojë një precedent, pasi operatorët e platformave të teknologjisë mund të konsiderohen përgjegjës, për veprimet e përdoruesve të tyre, duke ndezur debate më të gjera rreth përgjegjësisë digjitale në industrinë e teknologjisë. Telegram, i themeluar nga Pavel Durov në vitin 2013, është një aplikacion mesazhesh i bazuar në cloud, i njohur për fokusin e tij tek privatësia dhe siguria.

Ai i lejon përdoruesit të dërgojnë mesazhe me tekst, foto, video dhe dosje të çdo lloji, së bashku me krijimin e kanaleve dhe grupeve me një numër të madh pjesëmarrësish. Shumë njerëz e preferojnë për shkak të enkriptimit të bisedave sekrete. Por pikërisht vënia kaq shumë e theksit tek privatësia ka sjellë edhe kritika të shumta, sidomos për aktivitetet e paligjshme.

Arrestimi i Durovit mund të sjellë pasoja serioze për platformat si Twitter apo Facebook. Ai sinjalizon një ndryshim që mund të ndodhë, ku operatorët e platforma do konsiderohehsin përgjegjës për veprimet e përdoruesve të tyre. Kjo mund të sjellë ligje më të rrepta, rritje të presionit mbi kompanitë që të shtojnë moderimin e përmbajtjes dhe ndoshta edhe më shumë risqe për drejtuesit e kompanive teknologjike. Nëse tendenca vazhdon, mund të shohim një forcim më agresiv të ligjeve digjitale, sidomos në BE, ku ka një shtim të fokusit mbi të drejtat dhe përgjegjësitë digjitale.