Aktualitet

Pasojat e para të motit të keq, rruga e Prekalit në Shkodër bëhet e pakalueshme/Çadrat na shoqërojnë gjithë javën!

Ndërsa vendi është mbërthyer nga dara e motit të keq, me vazhdimin e shirave, Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron situatë problematike, kryesisht në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër e Lezhë. Aty mund të ketë vërshime të lumenjve të vegjël malorë e rrëshqitje të dherave. Nuk përjashtohet që në zonat urbane të këtyre katër qarqeve, të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve. Sot raportohet pasoja e parë. Në Shkodër, rruga e Prekalit nuk kalohet për shkak të rënies së gurëve.

Parashikimet janë që gjatë ditës, reshjet të kenë intensitet të ulët, por në mbrëmje do të intensifikohen. Po ashtu, pritet një rritje e prurjeve të lumenjve kryesorë, veçanërisht Drinit e Bunës, si edhe në liqenin e Shkodrës. Bashkive në zonat e rrezikuara, Ministria e Mbrojtjes iu kërkon marrjen e masave në rast përkeqësimi të situatës.

Në zonën e Alpeve parashikohen reshje shumë të dendura dëbore në formën e stuhive, ndërsa në zonat malore në lartësitë 800-900 metra, reshje dëbore me intensitet të ulët. Me përmbytje, vendi ynë u përball edhe muajin e kaluar, me Shkodrën dhe Lezhën që u veçuan si dy qarqet më problematike për shkak të pasojave.

Sa i përket parashikimit të motit për sot në territorin shqiptar, kushtet atmosferike janë të paqëndrueshme. Në veriperëndim ka vranësira të dendura, të pasuara nga reshje shiu dhe stuhi. Në verilindje ka reshje bore. Temperaturat kanë pësuar rritje të lehtë e luhaten në vlerat nga 2-17 gradë celcius.

Era do të fryjë mesatare dhe e fortë me shpejtësi 65-70 km/h nga jugperëndimi e për pasojë në brigjet detare do të gjenerohet dallgëzim 6 ballë.