Në programin “Pasó” në Top Albania Radio për këtë javë një interes të veçantë mori paga arbitrave shqiptarë.
Lorenc Jemini një ish arbitër i FIFA-s, tha se një gjyqtar kryesor futbolli paguhet për një ndeshje 40 mijë lekë.
Jemini tha se kjo është një pagë e pamjaftueshme për një arbitër i cili ka përgjegjësinë e mbarëvajtjes së garës dhe ndeshjeve në fushë. Sipas tij kjo pagë që merr sot një arbitër shqiptar është 100 fish më pak sesa një arbitër italian i futbollit në Serinë A.
Gjatë intervistës, ai propozon një pagë fikse mujore prej 50 mijë lekësh dhe bonuse për çdo ndeshje të arbitruar. Fondet për pagat e arbitrave duhet të grumbullohen nga kontributet e klubeve.
Por të gjitha këto mbeten për momentin në kuadër propozimesh publike pasi nuk ka asnjë nismë konkrete për rritjen e pagës së arbitrave, të cilët shpesh përfliten edhe si të përfshirë në ndikimin e rezultateve për interesa të klubeve, duke shtuar dyshimet për akte korruptive.