Para pak muajsh, trashëgimtarja e famshme Paris Hilton i ka dhënë fund beqarisë duke u martuar me sipërmarrësin Carter Reum në një ceremoni luksoze me rreth 200 të ftuar të organizuar në pronën e gjyshit të saj të ndjerë në Bel-Air. Në ceremoni ishin të ftuar emra të njohur të botës së showbiz-it si Emma Roberts, Ashley Benson dhe Bebe Rexha. 40-vjeçarja konfirmoi lajmin duke publikuar në Instagram disa fotografi para ceremonisë, ku shfaqej me fustanin e saj të nusërisë të punuar nga “Oscar de la Renta”.
Së fundmi, bashkëshorti i Paris Hilton, Carter Reum, ka përmendur një gjë që do të donte të ishte ndryshe te gruaja e tij. Çifti kanë diskutuar për lidhjen e tyre në emisionin “Paris in Love”, i cili është shfaqur premierë në kanalin “E!”.
Në një videoxhirim, ata kanë ndarë nga një mendim se çfarë do të ndryshonin te partneri i tyre. Diskutimi zhvillohej teksa çifti ecnin së bashku përgjatë bregut të detit në plazh dhe më pas Hilton e pyet bashkëshortin e saj:
Nëse do të kishte një gjë tek unë që mund ta ndryshoje, cila do të ishte ajo?
Përgjigjja e Carter ishte:
Epo, ka një gjë. Nuk je e organizuar mjaftueshëm sa do të dëshiroja unë.
Hilton dhe Reum u martuan gjatë një ceremonie tre-ditore në muajin nëntor dhe më pas shkuan në muajin e mjaltit, një udhëtim nëpër botë. Të gjithë rrugëtimin e planifikimit dhe të realizimit të dasmës së tyre dyshja Hilton dhe Reum e bënë të ditur në muajin nëntor se do të transmetohet në serialin e tyre në ‘Peacock’, me titull ‘Paris in Love’.
Rikujtojmë se, Hilton u shfaq në “The Tonight Show”, ku rastësisht veshi dy taka të ndryshme. Kjo arriti që të vihej në dukje fillimisht në TikTok nga llogaria zyrtare e “The Tonight Show”, e cila shoqëroi një video të yllit duke ecur në setin e shfaqjes për të përshëndetur prezarantuesin Jimmy Fallon me këngën e Kreepa “Oh No”.
Ndërsa Hilton, e veshur me një fustan të gjelbër neoni, ecte nëpër skenë, klipi u zmadhua në këmbët e saj, duke zbuluar se ajo kishte një takë nude në njërën këmbë dhe një stileto të pastër, të zbukuruar me kristale në tjetrën. Në klipin e shkurtër ishte shkruar:
Kur dilni me nxitim nga shtëpia me këpucët e gabuara.