Bota

Pasi u shpall fajtor, jep dorëheqjen senatori amerikan Bob Menendez!

Bob Menendez dha dorëheqje nga posti i senatorit pasi u dënua për korrupsion në Shtetet e Bashkuara. Në një letër, theksoi se dita e tij e fundit si senator i SHBA-ve do të jetë 20 gushti. Demokrati nga Nju Xhërsi planifikon ta apelojë vendimin dhe se nuk do që Senati “të përfshihet në një proces të gjatë që do ta dëmtonte punën e tij të rëndësishme”.

Guvernatori i Nju Xhërsit, Phil Murphy, gjithashtu demokrat, tani do të emërojë një zëvendësues për Menendezin, i cili ka shërbyer si senator që nga viti 2006. Ai ka qenë edhe kryetar i Komitetit me ndikim për Marrëdhënie me Jashtë, por ka hequr dorë nga ky post, pasi u akuzua për korrupsion, vitin e kaluar.

70 vjeçari u shpall fajtor më 16 korrik për të 16 akuzat penale për të cilat dyshohej, përfshirë pengimin e drejtësisë, mashtrimin dhe zhvatjen. Vendimi u mor nga një juri në gjykatën federale në Manhatan, pas një gjyqi 9-javor. Për të njëjtin rast u dënuan edhe dy bashkëpunëtorë.

Po ashtu, rezultoi se senatori ka marrë dhurata të shtrenjta, përfshirë shifra ari e makinë luksoze “Benz”. Kjo në këmbim të ndihmës për qeveritë e huaja. Në rastin konkret flitej për ndihmë të paligjshme ndaj Kajros zyrtare. Edhe bashkëshortja e tij, Nadine Arslanian Menendez, përballet me akuza në rastin për ryshfet, por gjyqi ndaj saj u shty pasi po i nënshtrohet një trajtimi për kancerin e gjirit. Ajo është deklaruar e pafajshme.

Avokatët e senatorit kanë tentuar të kalojnë fajin te zonja Menendez, duke e portretizuar si individ me probleme financiare dhe që ka synuar të fitojë “para e asete, në çdo mënyrë të mundshme”. Përgjatë gjithë procesit gjyqësor, prokurorët amerikanë kanë përdorur dëshmi të ekspertëve, emaile e mesazhe me shkrim të senatorit, për të vërtetuar që ai është shpërblyer prej qeverive të huaja.