Aktualitet

Pashkët katolike, Imzot Frendo e Imzot Massafra përcjellin mesazhe

Si në mbarë botën, edhe besimtarët katolikë në Shqipëri kremtojnë Pashkët, ringjalljen e Krishtit, një nga momentet më të rëndësishme të besimit. Në zbatim të masave anti-COVID, mesha e Pashkëve në kishat katolike të vendit do të nisin në orën 23:00, për të zgjatur deri në mesnatë.

Arqipeshkvi i Kishës Katolike në Shqipëri, Imzot George Frendo përcolli këtë mesazh:

Të gjithë ata që e takuan Jezu Krishtin e ngjallur morën një urdhër: Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi!. Prandaj le të dëshmojmë mesazhin e Pashkëve. T’ia dëshmojmë asaj vajze që e shet trupin e vet në mes të natës e t’i themi: Jezusi ka flijuar trupin e vet për të të dhënë një trup që nxit respekt. T’ia dëshmojmë atij burri që e shfren dëshprimin e tij në pornografi ose alkool apo drogë e t’i themi: Jezusi të ka treguar rrugën e asaj të vërtete që të bën të lirë, mos cakto rrugën që të bën skllav të pornografisë, të alkoolit apo të drogës. T’ia dëshmojmë atij të riu që e humbi besimin e tij sepse mendon se besimi në Zotin është besëtytni e t’i themi: Vetëm në besimin te Zoti, jeta jonë mund të gjejë domethënien e vet ndryshe është absurditet. T’ia dëshmojmë atyre që planifikojnë të vetëvriten sepse nuk shohin asnjë të ardhme, asnjë shpresë, e t’u themi: Besimi lind në ju atë shpresë që ju jep kurajë për të përballuar çdo sfidë dhe situata të vështira. T’ia dëshmojmë edhe atyre që po vuajnë për shkak të përhapjes së koronavirusit, që ka krijuar shumë probleme për shumë familje. Por le të jetë kjo situatë si një shkollë për ne, që ishim bërë tepër viktimë materializmi dhe konsumizmi. Mos të lejojmë që virusi të kufizojë jetën tonë. Jeta jonë nuk është nën drejtimin e virusit, por nën drejtimin e Krishtit!

Nga qendra ku po rehabilitohet pasi fitoi betejën me koronavirusin, Arqipeshkivi i Shkodrës, imzot Angelo Massafra i kërkoi besimtarëve të vazhdojnë lutjen për të dhe gjithë të sëmurët.

Në mesazhin e tij, kleriku vuri në dukje se janë Pashkët e ringjalljes, aty ku Krishti i ringjallur nga të vdekurit përfaqëson risinë për të gjithë ata që aspirojnë jetën e re.

Gjithmonë ndihemi nevojtarë për të filluar nga e para, për të përshkuar shtigje mohimi, shkretëtire, për të arritur oaze freskuese, të cilat japin shpresë për të vazhduar ecjen. Eshtë gjithmonë dora e Zotit që na shtyn për të ecur, për të braktisur siguritë tona që t’i hapemi së resë.