Në mesazhin për Pashkën Ort’hodokse, Kryepeshkopi Anastas Janullatos uron që “gëzimi që përçon festa e ringjalljes të ndriçojë jetët tona, duke na çliruar nga hidhërimi dhe mjegulla”.
Pashka e këtij viti na fton në një betejë të vështirë. Këto vite, veçanërisht muajt e fundit, kanë grumbulluar rreth nesh, por edhe në zemrën tonë, një hidhërim të shumëtrajtshëm: Dhimbje të parrëfyeshme për shkak të fatkeqësisë hekurudhore dhe numrit të madh të të prekurve nga tërmeti tek fqinjët tanë, pikëllim të papërshkrueshëm për shkak të luftës së ashpër në Ukrainë. Këtyre hidhërimeve u shtohen edhe sprovat e ndryshme personale e shoqërore. Megjithatë, Kisha, përmes himnologjisë së mrekullueshme të Pashkës, na fton në një kalim vendimtar: «Pashka, me gaz le të përqafojmë njëri-tjetrin, Oh, Pashka, na çliron prej hidhërimit».
Hidhërimi dhe gëzimi gjenden përkrah njëri-tjetrit në jetën njerëzore. Kjo e vërtetë theksohet fort në ngjarjet e Javës së Madhe. Përpara Pësimit, gjatë Darkës Mistike, Krishti ua bëri të qartë nxënësve: «Kështu dhe ju pra tani keni hidhërim, por kur përsëri do t’ju shoh dhe zemra juaj do të gëzohet dhe askush nuk do t’jua marrë gëzimin» (Jn. 16:22).
Dhimbja shkakton tronditje gjatë ditëve të Pësimeve, por, në fund, ajo mposhtet në dritën e ngadhënjimit të Ngjalljes. Fjala dhe këshilla e parë vendimtare e Krishtit të Ngjallur drejtuar Miroprurëseve të përkushtuara, që rendën me vrap drejt varrit, ishte: «Gëzohuni!» (Mt. 28:9). Kur Krishti i Ngjalluar iu shfaq për herë të parë nxënësve të tij, Ungjillor Joani thotë se ata «u gëzuan kur panë Zotin» (Jn. 20:21). Gëzimi i Pashkës buron brenda dhimbjejes së shumtrajshtme që i kishte paraprirë: tradhëtia, mohimi, shpërfillja, vdekja në kryq.
Pashka kryqngjallësore të çliron nga çdo lloj hidhërimi: Ngjallja e Krishtit vërteton fitoren e së vërtetës ndaj gënjeshtrës, të dashurisë ndaj urrejtjes, ngadhënjimin e jetës mbi vdekjen. Krishti i Ngjallur zhduk çdo gjurmë të Hadhit. Trondit pushtetin e vdekjes që sjell dhuna, krenaria, padrejtësia.
Gërshetimi i dhimbjes me ngazëllimin na lë pa fjalë. Megjithatë, harmonizimi i të kundërtave mbetet karakteristikë e jetës në Krishtin. Apostull Pavli e thekson këtë përvojë të jashtëzakonshme: «… në shumë hidhërime, por me gëzimin e Shpirtit të Shenjtë» (1 Thes. 1:6). Kemi të bëjmë me një harmonizim të habitshëm, me një kundërshti të çuditshme. Ai e përshkruan këtë në mënyrë më shprehëse në një letër tjetër: «Jemi të munduar nga çdo anë, por jo të ligështuar; jemi të pështjelluar, por jo të dëshpëruar; përndiqemi, por nuk jemi të braktisur; na kanë hedhur tej, por nuk kemi marrë fund» (2 Kor. 4:8-10). Edhe diku tjetër: «… jemi të hidhëruar, por gjithmonë të gëzuar; jemi të varfër, por pasurojmë shumë veta; nuk kemi asgjë, por në të vërtetë kemi gjithçka» (2 Kor. 6:6-11). Në librin e fundit të Shkrimit të Shenjtë, në Zbulesën e Joanit, përmblidhet, me anë të paraqitjeve simbolike tronditëse, harmonizimi i të kundërtave, ndërthurja e hidhërimit dhe fitores përfundimtare të Krishtit të kryqëzuar dhe të ngjalluar.
Harmonizimi i hidhërimit me gëzimin e Shpirtit të Shenjtë, për të cilën flitet, në pamje të parë duket i pamundur. Por, sikurse na siguron edhe Apostulli i kombeve, «unë mund të bëj gjithçka përmes Krishtit që më forcon» (Filip. 4:13). Kjo ndërthurje duket e pamundur, por marrëdhënia e ngushtë me Krishtin që pësoi dhe u ngjall e bën të mundur. Këtë kungim me Fjalën e Perëndisë së mishëruar e përjetojmë duke qenë pjesë e Kishës, e cila është Trupi i Tij mistik. Shpirti i Shenjtë, përmes këtij kungimi, vepron në jetën tonë, forcon dhe gëzon tërë qenien tonë. Ngjallja është parashijimi i fitores përfundimtare të Perëndisë, parashijim i dashurisë në amshim.
Gëzimi ngjallësor mbështetet mbi themele të forta. Së pari, mbështetet te siguria që na dha Krishti: «M’u dha çdo pushtet në qiell dhe në tokë» (Mt. 28:18). Përgjatë shekujve, shumë janë shfaqur si sundues të botës. Mirëpo, Ai që ka pushtetin përfundimtar për gjithçka që ndodh në qiell e mbi dhé është Zoti ynë Jisu Krisht. Themeli i dytë i patundur është siguria që dha Krishti i Ngjallur: «Unë do të jem me ju të gjitha ditët, deri në fund të kohërave» (Mt. 28:20). Zoti ynë nuk është i largët, nuk është vëzhgues shpërfillës i gjërave që ndodhin. Ai vazhdon të jetë “me ne” në të gjitha fazat dhe çastet e vështira të jetës sonë. Dhe, së treti: Gëzimi paskal shumëfishohet kur dhuron gëzim aty ku urrejtja është me tepri, aty ku dëshpërimi të merr frymën.
«Pashka, me gaz le të përqafojmë njëri-tjetrin, Oh, Pashka, na çliron prej hidhërimit».
Hidhërimi dhe gëzimi këmbehen me njëri-tjetrin në jetën tonë. Në rrugëtimin tonë nuk mungojnë ngjarjet e dhimbshme të paparashikueshme, fatkeqësitë që kapërcejnë forcat tona dhe na vënë poshtë. Ndihemi të pafuqishëm për t’i përballuar dhe shpesh na pushton frika. Megjithatë, vullneti ynë le të mos bjerë në plogështi. Për sa varet nga ne, le të lëmë që drita e Ngjalljes të ndriçojë jetën tonë dhe Shpirti i Shenjtë të na dhurojë qëndresë, durim, shpresë. Gëzimi kryqngjallësor është tipar dallues i jetës në Krishtin. Prandaj, Apostulli korife e thekson me këmbëngulje: «Gëzohuni gjithnjë në Zotin. Përsëri ju them: Gëzohuni!» (Filip. 4:4, 1 Thes. 5:16).
Gëzimi i Ngjalljes le ta ndriçojë, pra, jetën tonë, duke na çliruar nga hidhërimi dhe mjegulla. Siguria e ngjalljes, fryma ngjallësore, le të jenë mbështetje dhe burim gëzimi çdo ditë në jetën tonë.
Krishti u ngjall!