Bota

Pashka Katolike, Papa Françesku: I Ringjalluri i kapërcen erërat e akullta të luftës!

Mesha e Pashkës Katolike në Bazilikën e Vatikanit, Papa Françesku kujtoi “gëzimin e Krishtit të ringjallur, të varrit të tij bosh e të ftesës për takimin e ri, në një realitet personal e kolektiv të dominuar nga zhgënjimi dhe lodhja apo erërat e akullta të luftës”.

Pashka e Zotit na shtyn të ecim përpara, të largohemi nga ndjenja e disfatës. Ndonjëherë na ndodh të mendojmë se gëzimi i takimit me Jezusin i përket së shkuarës, ndërsa në të tashmen, mbi të gjitha njohim varret e vulosura, ato të zhgënjimeve, hidhërimit e mosbesimit tonë. Po ashtu, të pjesës se nuk kemi më ç’të bëjmë, se gjërat nuk do të ndryshojnë më kurrë e më mirë të jetojmë momentin se për të ardhmen nuk ka siguri.

Të kapur nga dhimbja, të shtypur nga trishtimi, të poshtëruar nga mëkati, të hidhëruar nga ndonjë dështim apo të munduar nga shqetësimet, ne kemi përjetuar shijen e hidhur të lodhjes dhe shohim të zbehet gëzimi në zemrat tona.

Ndonjëherë, thjesht ndjejmë lodhjen e vazhdimit të jetës së përditshme, të lodhur duke rrezikuar veten përpara murit prej gome të një bote ku ligjet e më të zgjuarve e më të fortëve duket se gjithmonë mbizotërojnë.

Herë të tjera ndihemi të pafuqishëm e të dekurajuar në përballjen me fuqinë e së keqes, konfliktet që prishin marrëdhëniet, logjikën e llogaritjes dhe indiferencën që duket se qeverisin shoqërinë. Të pafuqishëm edhe përballë kancerit të korrupsionit, përhapjes së padrejtësisë, erërave të akullta të luftës.

Përsëri, mund të jemi gjetur ballë për ballë me vdekjen që heq praninë e ëmbël të të dashurve tanë ose se na prek në sëmundje apo fatkeqësi. Lehtësisht, kjo na bën pre të zhgënjimit e burimi i shpresës është tharë. Për këto apo të tjera situata, rrugët tona ndalen para varreve dhe ne mbetemi të palëvizur duke qarë e të penduar, të vetmuar e të pafuqishëm për të përsëritur pse-të tona.

Veçse në Pashkë, gratë nuk mbeten të paralizuara para një varri. Ungjilli thotë se e braktisën me nxitim varrin. Me frikë e gëzim të madh, vrapuan për të njoftuar dishepujt e tij. Përcollën lajmin që përgjithmonë do të ndryshojë jetën e historinë: Krishti u ringjall!