Përleshje të dhunshme mes policisë e protestuesve u panë dje në parkun më të famshëm të Barcelonës që ishte mbyllur për publikun për eventin privat të modës. Në skenat kaotike të raprotuara nga mediat shiheshin policë që qëllonin rezidentë me shkopinj gome kur ata kundërshtuan përdorimin e pronës publike për paradën e Louis Vuitton me emra të famshëm të modës.
Rrjeti britanik Daily Mail shkruan:
Emma Stone, Sophie Turner, Jennifer Connelly e Ana de Armas ishin mes të ftuarve në paradën luksoze të modës, për të cilët organizatorët akuzoheshin nga grupet lokale për privatizim të hapësirës publike.
Pamjet tregojnë protestues që rrihen nga policë të maskuar e me veshje të rënda, në parkun historik Güell, teksa shumë kritikë thanë se eventi ka trazuar qarkullimin në zonë për ditë me radhë. Qindra njerëz rrethuan dje barrikadat dhe oficerët e policisë me pankarta proteste. Në pamje të vrazhda policia shihej që godiste protestuesit dhe një burrë shihej përtokë duke u rrahur prej tyre.
Një burrë në bluzë gri shihet që godet me shkelm një polic me veshje të rënda por e gjen veten duke u goditur me shkopinj gome nga disa oficerë të maskuar që e rrethojnë dhe e largojnë nga turma. Në të tjera skena, protestues më paqësorë inskenonin një paradë tallëse mode në rrugën Travessera de Dalt dhe në Gràcia duke marrë duartrokitje ironike nga kalimtarët.
Një gazetar i rrjetit vendas Rac 1 tha se një protestues ishte arrestuar dhe shoqëruar nga policia. Rrjeti vendas shtonte se:
Përgatitje e paradës kishin dëmtuar shkallët e vendit historik duke shkaktuar zemërim mes vendasve.
Eventi ishte organizuar nga kompania luksoze franceze me rastin e Kupës së 37-të të Amerikës që po mbahet në Barcelonë. Parku i famshëm Güell është ndërtuar në vitin 1914 në Barcelonë , rreth 14 vjet pas hartimit të planit nga sipërmarrësi vendas Eusebi Güell. Por prej vitit 1926 parku është etiketuar si hapësirë bashkiake, ndërsa në 1984 është shpallur impjant i trashëgimisë botërore.