Rajoni

Pas zgjedhjeve në BE e SHBA, Serbia pret ndryshim qëndrimi ndaj Kosovës!

Pas formimit të institucioneve të reja europiane dhe zgjedhjeve presidenciale të muajit nëntor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Serbia pret që të ndryshojë qëndrimi i Perëndimit ndaj Kosovës dhe vendi të mund të përballet me “të tjera masa”. Kjo u theksua nga kryetarja e parlamentit serb, Ana Bërnabiç, për Radio Televizionin e Serbisë (RTS).

Nëse ne arrijmë që të ruajmë paqen e t’iu bëjmë ballë të gjitha provokimeve, të cilat janë të tmerrshme, mendoj se mund të presim masa krejtësisht ndryshme dhe një tjetër qëndrim ndaj Prishtinës.

Sipas kryeparlamentares, “kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po përdor qetësinë në punën e institucioneve europiane” para se të formohen institucionet e reja, për të “shkaktuar konflikt të armatosur” në Kosovë.

Siç dihet, zgjedhjet për Parlamentin Europian (PE) u mbajtën në muajin qershor dhe në fund të vjeshtës do të fillojë mandati pesëvjeçar i Komisionit të ri Europian (KE). Referuar Kurtit, Bërnabiç u shpreh:

Parlamenti Europian është formuar, Komisioni Europian duhet që të formohet, por as PE-ja nuk po punon me kapacitet të plotë. Kemi zgjedhje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në muajin nëntor dhe ai po e shfrytëzon këtë.

Bërnabiç la të kuptohet se e ka fjalën për veprimet e qeverisë së Kosovës lidhur me mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit, muaj më parë, si dhe synimit të Prishtinës zyrtare për ta hapur urën mbi lumin Ibër.

Ana Bërnabiç shtoi edhe se “aleatët më besnikë të Prishtinës”, tani kanë një qëndrim më kritik se më parë ndaj Kosovës e Albin Kurtit. Kjo pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të Bashkimit Europian i kanë kritikuar haptazi veprimet e kryeministrit Kurti në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i cilësuar ato si të “njëanshme” e jo “të koordinuara”.

Beogradi zyrtar i cilësoi si “akte kriminale” që synojnë “persekutimin e serbëve”, mbylljet e institucioneve paralele serbe në veriun e Kosovës. Por, autoritetet kosovare vazhdojnë të ngulin këmbë se ato janë të “paligjshme” dhe se “shkelin rendin kushtetues të vendit”.