Reperi i njohur, Kanye West mund të humbasë statusin e tij të miliarderit pasi u largua nga Adidas pas reagimeve të shumta për fyerjet e tij antisemite. Marrëveshja vjetore e reperit prej 220 milionë dollarësh me markën sportive gjermane, e cila kap vlerën e 1.5 miliardë dollarëve në total, është ndërprerë pas sjelljes së tij të pazakontë.
Pasuria e West mund të bie nën 1 miliard dollarë pas përfundimit të marrëveshjes me markën, e cila vjen pasi disa marrëveshje të tjera fitimprurëse kanë ndërprerë bashkëpunimin me të. Adidas njoftoi se do të përfundonin partneritetin e tyre në një deklaratë, pasi prodhuesi i veshjeve sportive kohë më parë kishte vënë nën shqyrtim marrëveshjen me Ye.
Ata pretendojnë se kanë bërë përpjekje të përsëritura në fillim të këtij muaji ‘për ta zgjidhur privatisht situatën’. Kjo vjen disa ditë pasi Kanye pohoi në një ‘podcast’ se gjiganti ‘nuk mund ta largoj atë’, pavarësisht se tha ‘gjëra antisemite’. Çmimi i aksioneve të Adidas ra më shumë se 50% gjatë gjashtë muajve të fundit dhe pritet të bjerë edhe më tej pas njoftimit.
Në një deklaratë Adidas tha:
Adidas nuk toleron antisemitizmin dhe çdo lloj tjetër të gjuhës së urrejtjes. Komentet dhe veprimet e fundit të Ye-së kanë qenë të papranueshme, të urryera, të rrezikshme dhe ato shkelin vlerat e kompanisë për diversitetin dhe përfshirjen, respektin reciprok dhe drejtësinë.
Kompania gjithashtu pretendoi se ndërprerja e lidhjeve me reperin ka të ngjarë të ketë një ‘ndikim negativ deri në 250 milionë euro në të ardhurat neto të kompanisë në 2022’. Para se të ndërprisnin bashkëpunimin me markën, Kanye kishte filluar publikisht të acaronte raportet me drejtuesit e Adidas, duke i akuzuar ata për ‘vjedhje’ e ideve të tij. West zotëron markën Yeezy, por Adidas i paguan atij një tarifë vjetore për të shitur produktet.
Rikujtojmë, se së fundmi, një zëdhënës i “Vogue” deklaroi se as revista dhe as kryeredaktorja, Anna Wintour nuk synojnë të punojnë përsëri me reperin Kanye West pas fyerjeve të tij antisemitike dhe mbështetjes për kauzën “White Lives Matter”. Wintour, ka pasur një marrëdhënie të gjatë dhe të ngushtë me reperin.