Reperi me famë botërore, P.Diddy, emri i vërtetë i të cilit është Sean Diddy Combs, është braktisur nga firma ligjore që e përfaqësonte, “Grubman, Shire, Meiselas & Sacks”. Firma vendosi të ndërpresë marrëdhëniet me Diddyn për shkak të padive të ngritura kundër tij të cilat përfshijnë akuza për sulm seksual, përdhunim, drogim, trafikim me qenie njerëzore dhe akuza të tjera serioze.
Kohë më parë, disa raportime sugjeruan se këngëtarja 38-vjeçare, Lady Gaga, që është gjithashtu kliente e kësaj firme, kishte ushtruar presion mbi avokatët që të braktisin Diddyn. Firma e ka hedhur poshtë këtë pretendim. “Vendimi ynë për të ndarë rrugët me z.Combs, nuk ka të bëjë me asnjë artist që përfaqësojmë. Ky vendim është marrë nga partnerët e firmës disa muaj më parë, sepse menduam se ishte gjëja e duhur për të bërë,”-tha një zëdhënës i firmës për “Page Six”.
Disa ditë më parë, “NewsNation” raportoi se Gaga kishte kërcënuar se do të largohej nga firma nëse avokatët nuk largonin Diddyn, por një burim anonim i tha “PageSix” se kjo bisedë nuk ka ndodhur kurrë. Shumë kompani që kishin marrëveshje me reperin kanë ndërprerë bashkëpunimin me të për shkak të padive.
“New York Post” njoftoi së fundmi se kryebashkiaku i New York-ut, Eric Adams, i ka tërhequr çelësin e qytetit që ia kishte dhënë Diddyt, tri javë pas publikimit të pamjeve të kamerave të sigurisë nga CNN, ku shihej reperi duke dhunuar ish-partneren e tij, këngëtaren Cassie, në vitin 2016. Së fundmi, reperi ka fshirë gjithçka nga llogaria e tij personale në Instagram, ku ka 9.9 milionë ndjekës.
Diddy vazhdon të përballet me pasojat e videos që tregon atë duke sulmuar ish të dashurën e tij Cassie Ventura. Reagimi ka qenë i ashpër nga publiku dhe sidomos nga sponsorat dhe bizneset në bashkëpunim me Diddy. Telashet për të nuk kanë fund pasi edhe Universiteti Howard ka marrë një vendim të rëndësishëm. Në një deklaratë thuhej se: Bordi i Administratorëve të Universitetit Howard votoi njëzëri për të pranuar kthimin nga Sean Combs të gradës së nderit të dhënë atij në vitin 2014.