Celebrities Film & Tv Showbiz

Pas tragjedisë në sheshxhirim, Alec Baldwin rikthehet me projekte të reja kinematografike!

Alec Baldwin do të kthehet në punë si aktor në Itali pas aksidentit fatal në sheshxhirimin e “Rust” tetorin e kaluar, sipas dy kompanive italiane të prodhimit. “Minerva Pictures” e Italisë dhe “ILBE” e Andrea Iervolino dhe Monika Bacardi kanë zbuluar se si Alec Baldwin ashtu edhe vëllai i tij Daniel Baldwin kanë marrë pjesë në dy filma që po prodhojnë së bashku dhe të cilët së shpejti do të xhirohen në Romë.

Shefi i “Minerva”, Gianluca Curti tha se Baldwin do të mbërrijë në Romë të shtunën. Daniel Baldwin ndodhet tashmë në kryeqytetin italian. Përfaqësuesi i Baldwin nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për konfirmim.

Dy produksionet italiane në të cilat Alec Baldwin do të luajë së bashku me vëllain e tij William, titullohen “Kid Santa” dhe “Billie’s Magic World” dhe të dyja janë cilësuar si filma të animuar, komedi familjare të Krishtlindjeve. Sipas burimeve, vëllezërit Baldwin do të jenë në Romë për katër javë për xhirimin e “Kid Santa” dhe “Billie’s Magic World”. Përfshirja e Alec Baldwin në të dy projektet erdhi pas aksidentit në “Rust” vitin e kaluar.

Aktori i cili vrau aksidentalisht në setin e xhirimit të filmit “Rust” kineasten Halyna Hutchins, Alec Baldwin, së fundmi ka deklaruar se po ndiqte udhëzimet e saj kur ia drejtoi armën, e cila rezultoi se kishte fishekë të vërtetë. Kjo deklaratë është dokumentuar në një dëshmi të tij, ndërsa pohohet gjithashtu se kontrata që ka firmosur në nisje të xhirimeve e mbronte atë nga përgjegjësia financiare në lidhje me vdekjen e Hutchins.

Baldwin është në cilësinë e të pandehurit në lidhje me tragjedinë e rëndë, ku mbeti viktimë kineastja, nëna e një fëmije. Kujtojmë se ngjarja ndodhi me 21 tetor të 2021, ndërsa ende hetimet nuk janë mbyllur. Në dosjen e fundit dalë nga hetimet, thuhej se aktori nuk ishte përgjegjës për vdekjen e saj, sepse ishte siguruar se arma që po përdorte në skenë nuk përmbante plumba të vërtetë dhe gjithashtu sepse ai nuk kishte përgjegjësi për kontrollin e armëve në set, siç fillimisht “New York Times” raportoi.