Aktualitet Rajoni

Pas takimit me Spiropalin, kryeparlamentari Gashi: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria me interesa të njëjta!

Kryeparlamentari Ahmet Gashi deklaroi sot se “miqësia dhe bashkëpunimi që ekziston mes Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë duhet të fuqizohen e përmirësohen edhe më shumë në të ardhmen”. Në konferencën në Shkup me homologen, Elisa Spiropali, Gashi tha:

Në rrafshin ndërkombëtar, vendet tona kanë qëllime e interesa të njëjta siç është anëtarësimi në Bashkimin Europian, bashkëpunimi edhe më i madh në fushën e mbrojtjes në kuadër të aleancës së NATO-s, si dhe të zhvillimit rajonal. Mendoj se kjo është e mundur duke pasur parasysh se shoqëritë tona po zhvillohen edhe më shumë e ka edhe më shumë vullnet politik në hapësirën për bashkëpunim.

Në takimin tonë, ne shprehëm pritshmëritë dhe shpresën se dy vendet tona do të kenë bashkëpunimin e tyre drejt integrimit europian. Ne besojmë se kjo është shumë e rëndësishme për të dy vendet tona e po ashtu edhe për vendet e rajonit.

Theksuam se zgjerimi është një nga politikat më të mira të unionit, me domosdoshmëri gjeo-strategjike, por edhe me investim afatgjatë për të gjithë Europën në aspektin politik, të sigurisë dhe ekonomisë.

Ne konstatuam se në periudhën e ardhshme, Ballkanin e presin edhe sfida të tjera, të cilat kërkojnë prej nesh më shumë bashkëpunim, mbështetje dhe ndihmë më të madhe, të ndërsjellë, në mënyrë që qytetarët tanë të jetojnë në prosperitet e mirëqenie.

Ne i vendosëm vetes një synim të përbashkët që është interesi me prioritet të ndërsjellë, shfytëzimi më efikas i fondeve të BE-së, pjesëmarrja e përbashkët në projektet e reja në kuadër të fondeve IPA-s.

Por, gjithashtu është e nevojshme të punohet në thellimin e bashkëpunimit ekonomik përmes promovimit të potencialeve ekonomike dhe realizimin e projekteve infrastrukturore të rëndësishme për progresin e stabilitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, si dhe të rajonit të Ballkanit.

Ndërtimi i rrugëve dhe lidhjeve energjetike e hekurudhore ndërmjet dy vendeve në kuadër të Korridorit të 8-të duhen të vazhdojnë me synim për një shkëmbimin më të madh të mallrave, njerëzve dhe shërbimeve, për të cilat ka një potencial më të madh.

Me Spiropalin biseduam për avancimin e bashkëpunimit parlamentar veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me integrimin europian. Mundësitë për bashkëpunim janë të mëdha dhe ne si politikanë të zgjedhur e të përgjegjshëm duhet të angazhohemi dhe kontribuojmë për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe për mirëqenien e plotë në rajon.