Së fundmi komediani Chris Rock ka thyer heshtjen pas shuplakës që mori nga aktori Will Smith në skenën e “Oscars” të dielën. Komediani në një show në Boston u shpreh shkurt se ende është duke e përpunuar atë që ndodhi. Teksa Smith kërkoi falje publike, Rock ende nuk e kishte komentuar ngjarjen. Ditën e djeshme në shown e tij, Rock nisi paraqitjen para audiencës duke i pyetur ndjekësit:
Si ishte fundjava juaj?
Pasi u mirëprit me duartrokitje të shumta, ai vazhdoi duke thënë se dëshiron të jetë i drejtpërdrejtë për çështjen duke shtuar se nuk ka asgjë për të thënë. 57-vjeçari tha se:
Jam duke e përpunuar se çfarë ka ndodhur dhe një ditë do të flas për këtë.
Nërkaq, biletat për shown “Rock’s Ego Death” përjetuan ngritje të madhe të çmimit pas ngjarjes që shokoi botën e filmit. Smith në një shkrim në Instagram ditën pas ngjarjes kërkoi falje. 53-vjeçari tha se ndihej i turpëruar nga veprimet e tij, të cilat tronditën të pranishmit, producentët dhe të gjithë ata që po ndiqnin në atë moment ceremoninë. Komediani Rock ndërkaq thuhej se nuk e dinte për sëmundjen e Jada Pinkett Smith kur bëri shaka për flokët e saj. Një burim tha se:
Ai nuk kishte qëllim të keq sepse ai realisht nuk dinte asgjë për sëmundjen e Jada-s.
Goditja me shuplakë e Will Smith ndaj Chris Rock e la audiencën plotësisht të shokuar. Por, kjo nuk është hera e parë që ylli i “King Richard” dhe aktori i humorit kanë një mosmarrëveshje. Por gjithsesi edhe pse nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ka qenë djali i Will Smith i cili ka reaguar në lidhje me ngjarjen. Jaden Smith mesa duket ka treguar mbështetje për babain e tij në rrjetin e tij social Twitter.