Këtë herë në emisionin “Ndryshe” të gjithë ju do të keni një episod ndryshe. Jemi mësuar tashmë që çdo të martë në mbrëmje të dëgjojmë e të shohim dy folësit tanë Paloma e Salsano krah për krah duke intervistuar e ‘ngacmuar’ të ftuarit e tyre. Ata na sjellin gjithmonë energji dhe të qeshura pa fund dhe nuk mund t’a mendojmë këtë program radiofonik pa ata të dy. Pasi sollën për të gjithë ne dhe barcaletën e javës që u pëlqye kaq shumë nga dëgjuesit tanë dhe të gjithë ata që na ndjekin online në YouTube e platforma sociale, Paloma dhe Salsano ndahen!
Megjithatë nuk duhet t’ju kapë paniku. Kjo ndarje megjithëse e para për këtë sezon të “Ndryshe” vjen për një arsye shumë të fortë që dhe na trishton disi. Duke qenë se folësja e hershme e Top Albania Radio është infektuar nga COVID-19, ajo është izoluar dhe po vazhdon trajtimin në shtëpi sipas protokollit të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë. Për të gjithë ata që e duan shumë dhe mezi presin që Paloma të kthehet në studion e TAR, duhet t’ju themi se gjendja e saj është e mirë dhe ajo pret me padurim të rikthehet në krye të detyrës.
Sakaq, episodi i sotëm nuk e gjen Salsanon vetëm. Pranë tij në bashkëmoderim do të jetë kolegia e spektaklit të humorit “Portokalli”, Arjola Demiri dhe nga ana tjetër e studios si gjithmonë do të gjendet Dj Vini. “Ndryshe” vjen dhe me të tjerë të ftuar këtë mbrëmje, këngëtaren shkodrane me zërin e ëmbël Rosela Gjylbegu dhe botuesja e shkrimtarja e njohur Flutura Açka. Gjithçka nis në orën 18:00, mos e humbisni!