Bota

Pas shumë përpjekjesh Portugalia legalizon eutanazinë!

Së fundmi, Parlamenti portugez miratoi një projektligj që dekriminalizon eutanazinë. Në tentativën e pestë për ta miratuar draftin nga Assembleia da República në Lisbonë, anëtarët e delegacionit kombëtar portugez votuan pro me një shumicë të qartë, 129 vota pro dhe 81 kundër. Katër përpjekjet e para rezultuan të pasuksesshme, si për shkak të vetos së ushtruar nga presidenti Marcelo Hebelo de Souza ashtu edhe prej kundërshtimeve nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas Kushtetutës, kreu i shtetit duhet të miratojë projektligjin që ai të hyjë në fuqi brenda tetë ditëve pasi t’i dorëzohet presidencës. Teksti u modifikua disa herë. Eutanazia konsiderohet vepër penale në shumicën e shteteve anëtare të BE-së dhe për ushtruesit mund të jepen dënime të rënda me burg. Në vitin 2021, Spanja u bë vendi i katërt që e dekriminalizoi atë, pas Holandës, Belgjikës dhe Luksemburgut.

Qeveria e qendrës së majtë të kryeministrit Antonio Costa paraqiti projektligjin origjinal në parlamentin e Portugalisë tre vjet më parë. Në atë kohë, shumica e deputetëve nga partia kryesore opozitare, PSD e qendrës së djathtë dhe shumë deputetë nga partia populiste e ekstremit të djathtë Chega kundërshtuan dekriminalizimin, pavarësisht nga kushtet e rrepta që vinin me të.

Ndërsa, partia e Costa-s ka theksuar vazhdimisht se projektligji synon të ofrojë “liri dhe dinjitet” për njerëzit që u duhet të durojnë dhimbje ekstreme për shkak të sëmundjeve të ndryshme dhe duan t’i japin fund jetës së tyre. Rikujtojmë, se Holanda ka vendosur të bëjë të ligjshme eutanazinë për fëmijët që janë shumë të sëmurë, të cilët nuk kanë mundësi trajtimi. Ministri i Shëndetësisë Ernst Kuipers u tha parlamentarëve se donte të rishikonte protokollin, i vlefshëm deri tani vetëm për të sapolindurit, për të mbuluar edhe fëmijët e moshës nën 12-vjeç të cilët vuajnë në mënyrë të padurueshme dhe për të cilët opsionet e kujdesit paliativ nuk janë të mjaftueshme.