Aktualitet

Pas shlyerjeve të mëdha, rinisin rritjen detyrimet e prapambetura!

Detyrimet e prapambetura të qeverisë ndaj palëve të treta me të cilat kishte kontrata për punë dhe shërbime iu rikthyen rritjes në 4-mujorin e parë. Ministria e Financave raporton se totali i detyrimeve që nuk u shlyen në kohë arriti në 10,5 miliardë lekë (rreth 100 milion euro) në prill 2024, me rritje 34% që nga 31 dhjetori i vitit të kaluar.

Rritja erdhi kryesisht ndaj projekteve në infrastrukturë, të cilat në fund të prillit arritën në 2,1 miliardë lekë ose 662% më shumë se fund të dhjetorit 2023 kur detyrimet në këtë zë, ranë në 286 milion lekë.

Mbi 79% e detyrimeve totale e përbënte zëri detyrime “të tjera”, të cilat përfaqësohen nga shuma të pashlyera nga vendimet e gjykatave në disfavor të qeverisë. Zëri “detyrime të tjera” arriti në rreth 8.4 miliardë lekë në fund të prillit, me rritje 10% nga fundi i vitit 2023.

Siç dhe konstatohet nga historiku, akumulimet e detyrimeve janë të larta në 6 mujorin e dytë, pasi kompanitë kryejnë punime përtej parashikimeve në buxhet. Edhe pse një seri udhëzimesh dhe rregulloresh evitojnë akumulimet e detyrimeve, ato po bëhen një zë i pashmangshëm në buxhet.

Ministria e Financave e ka bërë praktikë që një pjesë të tyre ta shlyejë në fund të vitit, por përgjithësisht një stok prej 100 milion eurosh mbetet gjithnjë. Qeveria shqiptare ka përfituar miliona euro hua nga donatorët për të forcuar kapacitetet e monitorimit dhe parandalimit të krijimit të detyrimeve të prapambetura.

Legjislacioni në fuqi i përmirësuar në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar në vitin 2016, nuk parashikon apo lejon asnjë rast të krijimit të detyrimeve të prapambetura. Krijimi i detyrimeve të prapambetura, automatikisht shoqërohet me thyerje të të paktën një ose me shumë neneve të ligjit për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë dhe akteve nënligjore në zbatim të tij./Monitor