Aktualitet

Pas Sali Berishës, SPAK merr të pandehur edhe dhëndrin Jamarbër Malltezi!

Pas ish-kryeministrit Sali Berisha, në SPAK u paraqit dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi për t’u njohur me akuzat për çështjen “Partizani”. Në një prononcim për mediat, Malltezi tha se “ata po mbahen në arrest politik pa asnjë fakt”.

Mungon fakti penal, është çështje civile e pronarëve të tokës. Shteti nuk ka humbur asnjë cent. Nuk ka asnjë provë që tregon se Berisha ka ndikuar, as nuk i përmendet emri. Zhvillimi i pronës është kryer nga pasardhësit. Asnjë nga tre partnerët, nuk kanë marrë asnjë cent nga qeverisa e PD-së.

Sipas tij, “SPAK ka fshehur dhe gënjyer me dokumente zyrtare”. Malltezi tha se “gënjyen kur thanë se Berisha ndërroi destinacionin e tokës” e deklaroi se atë e ka bërë Edi Rama.

Gënjyen kur thanë se Sali Berisha ndryshoi destinacionin e tokës kur vetë në dokumentet e tyre kemi gjetur se ndryshimin e kishte bërë Edi Rama dhe drejtorët e tij pa asnjë kërkesë.

Kemi plot për këto, por natyrisht jemi në institucionin afërmendsh të Edi Ramës, ku janë emëruar patronazhistët. Karanxha ishte patronazhist, aktivist me bluzë të Ulsi Manjës. Zyba patronazhist i PS, i emëruar. Prokurorët e Elbasanit janë emëruar me listë nga Taulant Balla dhe Lala.

Afërmendsh nuk presim ndonjë të re, afërmendsh ne do të përballemi sepse është pushtet i njëjtë me ’45 kur arrestonte nacionalistët për hir të nacionalizmit proletar.

Sipas dosjes, Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, duke përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milion eurove në mënyrë të parregullt, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij, Sali Berisha. Sot iu komunikuan akuzat.

Avokatët firmosën marrjen në dijeni të akuzës dhe u njohën me aktet e provat që ka vënë në dispocizion. Sipas Berishës kemi të bëjmë me një dosje voluminoze prej 500 faqesh. Avokatët pasi të shqyrtojnë dosjen kanë të drejtë të bëjnë pretendimet e tyre.

Ndërkohë ndaj familjes Berisha po vijon hetimi pasuror. Dy prokurorët Enkeleda Millonai dhe Arben Kraja kanë afat deri më 2 tetor për të vendosur nëse në gjykim do të çojnë të tërë dosjen, pra dhe hetimin pasuror apo do ta ndajnë në një moment më vete.