Bota

Pas protestave të dhunshme, Gjeorgjia tërheq ligjin e “agjentëve të huaj”!

Pas disa ditësh protestash të dhunshme në kryeqytetin Tbilisi, sot qeveria e Gjeorgjisë njoftoi se do të tërheqë nga parlamenti projektligjin për kufizimin e mundshëm të lirisë së medias dhe shoqërisë civile. Si arsye për vendimin, partia “Ëndrra Gjeorgjiane” dhe aleatët përmendën “ndarjet në shoqëri”, të shkaktuara nga ligji i propozuar.

Projektligji kërkonte që mediat dhe organizatat joqeveritare që marrin mbi 20% të financimit të tyre nga burime të huaja, të regjistroheshin si “agjentë të ndikimit të huaj”. Kjo nxiti protesta masive në Tbilisi, ndërsa policia ndërhyri duke i shpërndarë me dhunë.

Kryeministri gjeorgjian, Giorgi Garibashvili pati ripohuar mbështetjen ndaj draftit. Sipas tij, “dispozitat e propozuara për agjentët e huaj përmbushin standardet europiane dhe globale”. Por, shefi i Politikës së Jashtme të Unionit, Josep Borrell u shpreh:

Projektligji është zhvillim shumë negativ për vendin e mund të ndikojë seriozisht në marrëdhëniet e Gjeorgjisë me BE-në.

Anëtarët e Parlamentit Europian, Maria Kaljurand dhe Sven Mikser, që të dy figura kyçe në marrëdhëniet me Gjeorgjinë, kritikuan ligjin e propozuar. Presidentja e vendit, Salome Zurabishvili ishte zotuar të vendoste veto ndaj draftit.

Ju përfaqësoni një Gjeorgji të lirë, një Gjeorgji që e sheh të ardhmennë Perëndim dhe që nuk do të lejojë askënd t’ia marrë këtë të ardhme.

Më herët, forcat e rendit ishin përleshur me demonstruesit, disa prej të cilëve hodhën bomba me benzinë dhe gurë. Më pas, turma u mblodh jashtë parlamentit ku disa vetë hoqën barrierat e lehta prej metali të vendosura për të mos lejuar njerëzit t’i afroheshin ndërtesës.

Kritikët thanë se ky ligj pasqyronte legjislacionin rus që ka kufizuar punën e gazetarëve të pavarur dhe institucioneve demokratike në Rusi. Ndikimi rus është një çështje e ndjeshme në Gjeorgji.

Rusia pushtoi Gjeorgjinë në vitin 2008 dhe më pas, Moska njohu Osetinë e Jugut e një rajon tjetër, Abkhazinë, si vende të pavarura duke vendosur mijëra ushtarë rusë në ato zona.

Muajin e kaluar, mbi 60 media e grupe të shoqërisë civile u zotuan të mos e respektonin këtë ligj, nëse miratohej.