Bota

Pas protestave, në Gjeorgji nënshkruhet ligji për “Agjentët e huaj”!

Kryetari i Parlamentit të Gjeorgjisë, Shalva Papuashvili, tha se firmosi ligjin shumë të debatuar për “Agjentët e huaj”, i cili shkaktoi protesta masive në këtë vend prej disa javësh tashmë. Presidentja pro-perëndimore Salome Zurabishvili i vuri veto kur u miratua muajin e kaluar. Por, vetoja e saj u përmbys në një votim parlamentar dhe më pas, kryetarja e shtetit refuzoi ta miratonte masën.

Me Kushtetutën e Gjeorgjisë, nëse presidentja refuzon të miratojë një ligj, pasi vetoja e saj anulohet nga ligjvënësit, i takon kryetarit të parlamentit ta bëjë një gjë të tillë. Ligji për të cilin kritikët thonë se është modeluar sipas një varianti rus, për të shtypur opozitën dhe zërat e tjerë kundër, kërkon nga OJQ-të që marrin më shumë se 20% të fondeve nga jashtë, të regjistrohen si “Agjentë të huaj me ndikim”.

Emocionet janë zbutur dhe shumë nga qytetarët që u janë bashkuar protestave të opozitës radikale, tashmë e kanë parë se në fakt, ligji do të rrisë përgjegjësinë dhe llogaridhënien e organizatave joqeveritare e të financuesve të tyre, u shpreh ndër të tjera Papuashvili.

Pas nënshkrimit nga Papuashvili, vendimi duhet që të botohet në Gazetën Legjislative të Gjeorgjisë, për të patur status ligjor. Gjatë protestave disa javore kundër ligjit, qindra njerëz, përfshirë kundërshtarë politikë dhe gazetarë, u arrestuan.

Disa prej tyre mund të përballen edhe me vite burg. Kritikët thonë se ligji u çua përpara nga partia në pushtet, Endrra Gjeorgjiane, e themeluar nga manjati gjeorgjian prorus, Bidzina Ivanishvili, me qëllim që të çimentojë kontrollin e saj përpara zgjedhjeve të muajit tetor.

Presidentja Zurabishvili iu bëri thirrje gjeorgjianëve që të mobilizohen për t’i fituar ato votime. Ndërkaq, liderët e Bashkimit Europian kanë paralajmëruar se zbatimi i ligjit do të ndikojë negativisht në aspiratat e Gjeorgjisë për anëtarësim në BE.

Masa është kritikuar edhe nga Amerika, mbështetësja më e madhe e ish-republikës sovjetike në vitet e fundit.