Bota

Pas përmbytjeve, Libia në alarm për rrezikun e përhapjes së sëmundjeve!

Në Libi, grupet e ndihmës paralajmërojnë rrezikun në rritje të përhapjes së sëmundjeve, gjë që mund të ndërlikojë edhe më shumë krizën humanitare. Sot në këtë shtet janë pakësuar shpresat për gjetjen e më shumë të mbijetuarve pas vërshimeve vdekjeprurëse e që goditën qytetin-port të Dernas. Dy diga shpërthyen si pasojë e presionit të shkaktuar nga shirat e rrëmbyeshëm dhe nga një stuhi e fuqishme.

Autoritetet dhanë shifra të ndryshme sa i përket viktimave. Zyrtarët në lindje të vendit të ndarë mes dy qeverive rivale njoftuan se të paktën 3 mijë e 840 persona kanë gjetur vdekjen.

Organizatat e ndihmës, të tilla si Ndihma Islame dhe Mjekët pa Kufi kanë paralajmëruar se tani ekziston rreziku i përhapjes së sëmundjeve, por edhe i vështirësive që ndihma humanitare të arrijë te ata që kanë më së shumti nevojë.

Ndihma Islame paralajmëroi për “një krizë të dytë humanitare” pas përmbytjeve, duke theksuar se “ka rrezik në rritje të shfaqjes së sëmundjeve nga uji i kontaminuar, por edhe për mungesë të ushqimit, strehimit dhe ilaçeve”.

Mijëra njerëz nuk kanë se ku të flenë dhe nuk kanë ushqim. Në të tilla kushte, sëmundjet mund të përhapen shpejt pasi sistemi i ujit është i kontaminuar. Qytetit i vjen era vdekje. Pothuajse të gjithë kanë humbur dikë që njohin.

Ndërkaq, Mjekët pa Kufi njoftuan se do të dërgojnë ekipe në lindje të Libisë për të vlerësuar se si është situata me ujin dhe gjendja sa i përket kushteve higjeno-sanitare. Koordinatori mjekësor i organizatës në Derna, Manoelle Carton:

Me këto lloj ngjarjesh, ne vërtetë shqetësohemi për sëmundjet që lidhen me ujin. Përpjekjet për koordinim të ndihmës janë kaotike.

Por, Kryqi i Kuq dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH janë shprehur se trupat e pajetë të fatkeqësive natyrore, rrallë paraqesin rrezik shëndetësor. Një zëdhënës i Ushtrisë Kombëtare të Libisë raportoi se nga vërshimet janë prekur “mbi 1.2 milion persona”.