Aktualitet

Pas përfundimit të protestës mbërrin në selinë e PD-së prokurorja Elizabeta Imeraj.

Pas më shumë se dy orë e 30 minuta protestë të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, protestuesit arritën të shpërthenin derën kryesore të godinës së selisë së PD-së dhe u futën në hollin e katit të parë. Theksojmë se nga dhuna e ushtruar nga protestuesit gjithçka është shkatërruar. Tashmë kanë mbetur dyer të thyera dhe shumica e objekteve janë të shkatërruar.

Në lidhje me këtë kaos të krijuar ka nisur shoqërimi i protestuesve që u përfshinë në episode të dhunshme sot në protestën para selisë së PD-së. Tashmë i gjithë oborri i selisë së PD është i zbrazur. Policia e Shtetit ka shpërndarë protestuesit, duke përdorur gaz lotsjellës.

Por së fundmi ka mbërritur edhe prokurorja e Tiranës, Elizabeta Imeraj. Imeraj u shpreh se do të ndiqet çdo situatë dhe se përgjegjësit do të përgjigjen para ligjit.

Në këtë protestë, kemi parë përdorimin e dhunës nga shtetas të ndryshëm, që kanë përdorur leva, çekiçë dhe sende të tjera rrethanore për të hapur dyert e selisë blu. Persona nga brenda selisë janë përgjigjur me gaz lotsjellës. Disa qytetarë kanë mbetur të lënduar.