Bota

Pas ngrirjes nga viti i kaluar, Kina dhe SHBA-të kërkojnë stabilizimin e raporteve!

Ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang tha se është e domosdoshme të stabilizohen marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara pasi një seri “fjalësh të ashpra e veprash” ngurtësuan raportet.  Gjatë një takimi në Pekin me ambasadorin amerikan, Nicholas Burns, Gang tha se Amerika duhet të përmirësojë trajtimin që i bën çështjes së Tajvanit e të ndalojë mungesën e respektit ndaj parimit të “Një Kine”.

Raportet mes dy ekonomive më të mëdha në botë u përkeqësuan vitin e kaluar kur kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi vizitoi Tajvanin, duke zemëruar Kinën që pretendon se ky ishull është pjesë e territorit të saj. Në përgjigje, Pekini ndaloi disa kanale që përdoren për komunikime zyrtare me SHBA-të, sidomos ato ndërmjet dy ushtrive.

Prioritet kryesor është stabilizimi i raporteve Kinë-SHBA, të shmanget përkeqësimi i raporteve dhe të parandalohet çdo incident ndërmjet Kinës e SHBA-ve.

Përmes një postimi në Twitter, ambasadori Burns tha se në takimin me Gang, foli dhe për nevojën që të ketë stabilitet në raportet mes dy shteteve.

Ne diskutuam sfidat në raportet SHBA-Kinë dhe nevojën e stabilizimit të marrëdhënieve e zgjerimit të komunikimit në nivel të lartë.

Tajvani mbetet çështja kyçe në raportet Kinë-SHBA. Muajin e kaluar, Kina mbajti stërvitje ushtarake rreth Tajvanit, pasi presidentja tajvaneze, Tsai Ing-wen u takua me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, në SHBA.

Që nga viti 1979, raportet SHBA-Tajvan janë vendosur në bazë të Aktit të Raporteve, që ofron bazë ligjore për t’i dhënë Tajvanit mjetet e nevojshme për të mbrojtur veten, por nuk thotë se Amerika do ta ndihmojë Tajvanin në rast të ndonjë sulmi.

Në buxhetin për vitin 2023, Kongresi Amerikan ka autorizuar ndihmë ushtarake për Tajvanin në vlerë prej 1 miliard dollarësh.